Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës ka lëshuar urdhër-arreste për katër shtetas, drejtues të bizneseve në Fushë-Krujë, pas zbulimit të një skeme të mashtrimit me TVSH-në që i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 127,551,874 lekësh. Prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për të dyshuarit.
Hetimi u krye në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, duke zbuluar një skemë ku përfshiheshin të paktën gjashtë subjekte të ndërtimit. Skema përfshinte deklarime fiktive të shitjeve për të përfituar rimbursime të paligjshme të TVSH-së. Subjektet “R S” dhe “L” deklaruan shitje totale prej 448,604,002 lekësh për periudhën Dhjetor 2023, të cilat dyshohet se ishin fiktive dhe faturuar te subjektet “3D C” dhe “I.V FP.”
Pas verifikimit të faturave të deklaruara, analizimi i të dhënave dhe përllogaritja e TVSH-së dhe Tatimit mbi Fitimin treguan për një dëm ndaj shtetit në vlerën prej mbi 127 milionë lekë. Gjykata ka miratuar arrestimin e katër personave dhe ka vendosur masat “arrest në shtëpi” dhe “detyrim paraqitjeje” për tre të tjerë.
Verifikimet e mëtejshme zbuluan se subjekti “3D C” zotëronte automjete luksoze, si Mercedes AMG 63 dhe Porsche Cayenne, të cilat nuk kishin lidhje me aktivitetin e ndërtimit, duke shtuar dyshimet për përdorimin e tyre për qëllime të tjera jashtë biznesit deklaruar.
Deri tani është ekzekutuar arrestimi i Indrit Allamanit për të cilin me kërkesë të prokurorisë Gjykata ka caktuar masën “arrest në burg”, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 të tjerë: Indrit Visha, Redion Sefa, dhe Lovjano Topi.
Për shtetasen Albana Paja është caktuar paraprakisht masa arrest shtëpie, ndërsa për Brikena Çela dhe Aldo Myftari, “detyrim paraqitjeje”.
©️zërionline


