Në Gjykatën e Durrësit u zhvillua këtë të premte seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Majlind Habibit, i akuzuar për vrasjen me dashje të Branko Shkozës, ngjarje që ka tronditur opinionin publik, pasi fillimisht u deklarua si një ngjarje aksidentale. Gjyqtarja e seancës pasi dëgjoi palët caktoi masën e sigurisë arrest në burg deri në përfundim të hetimeve, ndonëse ndryshe nga sa pati deklaruar fillimisht në polici, ai e ka mohuar ngjarjen. Habibi deklaroi se ka pohuar pasi ishte nën presionin e policisë dhe ka firmosur për këtë. Ai tha në seancë se një nga policët dhe e ka qëlluar me shpullë, por ai është i pafajshëm dhe kërkon drejtësi.

35-vjeçari Habibi u shfaq i qetë në seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij deri në momentin që u pyet nga gjyqtarja për krimin të cilin e mohoi, duke deklaruar se për herë të fundit ka qëndruar në lokal me viktimën më 27 nëntor. Ai u shfaq i shqetësuar për gjendjen e familjes së tij, që është larguar nga banesa, duke thënë se ka një nënë të sëmurë dhe gruan shtatzënë dhe djalin 4-vjeç, ndërsa i druhet një përplasjeje mes dy vëllezërve të viktimës dhe vëllait të tij.
Prokurori i çështjes, Sokol Nishani, deklaroi se hetimet ndaj Habibit nisën më 11 dhjetor, një ditë pas arrestimit të tij nga policia, që zbardhi ngjarjen me ndihmën e familjarëve të viktimës. Nga hetimet rezultoi se për motive të dobëta, Habibi e ka kontaktuar viktimën dhe e ka shtyrë në kanalin pranë shtëpisë dhe më pas ia ka rrëfyer ngjarjen një personi tjetër i quajtur Mateo Kajana, cili gjithashtu është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Ndërkaq ekspertiza mjeko-ligjore ka përcaktuar se viktima ka vdekur nga mbytja në ujë, pasi në trupin e Shkozës nuk kishte shenja dhune. Nga matjet e bëra nga grupi hetimor rezulton se uji në kanal ishte i thellë 1.7 metra.
Sipas Nishanit, dëshmitari Kajana ka deklaruar se Majlind Habibi e ka shtyrë Shkozën në kanal, pas një takimi mes tyre më 2 dhjetor në mbrëmje pranë banesës së viktimës. Ai e ka shtyrë nga ura e improvizuar që ndodhet aty. Gjithashtu, prokurori paraqiti dëshminë e Viktor Dodës, e cila qe marrë mbrëmjen e kaluar para seancës dhe sugjeron se ngacmimet nga viktima mund të kenë çuar Habibin në këtë akt.
Akuza dhe mbrojtja
Prokuroria kërkoi caktimin e masës “arrest me burg”, duke argumentuar se i dyshuari ka pranuar paraprakisht autorësinë e ngjarjes dhe se ai e ka shoqëruar viktimën te ura ku e ka shtyrë, pavarësisht se më pas e ka kundërshtuar këtë qëndrim pohues. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i Habibit i caktuar kryesisht nga gjykata, Emil Prençe kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me dëshminë e fundit të dorëzuar nga prokuroria si dhe fashikujt e tjerë. Pasi u njoh me to, ai kundërshtoi akuzën duke theksuar se klienti i tij ka mohuar të ketë kryer vrasjen.
Deklaratat e Habibit
Në seancë, Habibi mohoi përfshirjen e tij në ngjarje, duke pretenduar se pranimi i fillimit ishte bërë nën presion policor. “Unë jam i pafajshëm. E kam takuar Branko Shkozën, me të cilin jam rritur që fëmijë, për herë të fundit më 27 nëntor në kafe, por nuk kam lidhje me vrasjen. Fillimisht pranova sepse kisha frikë nga policia. Kam një djalë dhe gruan shtatzënë,” deklaroi Habibi.
Ai gjithashtu pretendoi se gjatë ndalimit policor ishte dhunuar dhe detyruar të firmosë një deklaratë të rreme. “Njëri prej policëve më qëlloi me shpullë. Kam firmosur, por nuk di mirë as të lexoj,” tha ai.
Ndërsa mbrojtja dhe akuza mbetën në qëndrime të kundërta lidhur me provat dhe deklaratat e dhëna, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për autorin e dyshuar.
©️zërionline


