Reshjet e dendura dhe kushtet e vështira atmosferike kanë përfshirë të gjithë gjirin e Durrësit, duke ndikuar në pezullimin e lundrimit për mjetet e tonazhit të vogël. Kapiteneria e portit të Durrësit ka njoftuar se era e fortë që fryn nga juglindja ka shkaktuar forcë deti prej 5-6 ballë, duke detyruar edhe peshkarexhat të rikthehen në port që në orët e para të mëngjesit.
Pasditja pritet të sjellë një ndryshim të drejtimit të erës, e cila do të fryjë nga veriu, duke sjellë dhe rënie të mëtejshme të temperaturave.
Ndërkohë, tragetet që lidhin portin e Durrësit me portin italian të Barit kanë lundruar pa probleme, duke mbërritur në destinacion sipas orarit të planifikuar, rreth orës 07:00.

Sipas parashikimeve meteorologjike, moti në det të hapur pritet të përmirësohet deri të dielën. Kjo do të rikthejë normalitetin në aktivitetin e flotës së peshkimit në fillim të javës së ardhshme. Kapiteneria u bën thirrje lundërtarëve dhe peshkatarëve të respektojnë masat e sigurisë deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.
©️zërionline


