Afrimi i festave të fundvitit sjell një fluks të madh udhëtarësh në Portin e Durrësit, portin më të madh detar në vend. Duke nisur nga data 19 dhjetor, tragetet e linjës Durrës-Bari kanë filluar lundrimet e dyfishta për të përballuar fluksin në hyrje të pasagjerëve që zgjedhin Shqipërinë për të festuar fundvitin. Edhe linja me Ankonën ka shtuar numrin e lundrimeve drejt Durrësit.
Pjesa më e madhe e pasagjerëve janë pjesëtarë të diasporës, që rikthehen për të festuar me familjet në atdhe, por nuk mungojnë as turistët e huaj, të cilët zgjedhin Shqipërinë si destinacion për pushimet e fundvitit. Për të përballuar këtë fluks, autoritetet portuale kanë ndërmarrë masa për përpunimin e shpejtë dhe pa vonesa të udhëtarëve dhe automjeteve, duke vënë në funksion më shumë sportele.
Shifrat e lëvizjeve për vitin 2024
Sipas të dhënave të Autoritetit Portual Durrës, përgjatë 11 muajve të këtij viti kanë udhëtuar nga dhe drejt Portit të Durrësit me tragete gjithsej 716,214 pasagjerë, nga të cilët 337,324 kanë hyrë në Shqipëri, ndërsa 378,890 kanë dalë.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023, ka pasur një rënie të lehtë të lëvizjes së pasagjerëve, kryesisht për shkak të konkurrencës nga linjat ajrore “low-cost”. Në vitin 2023, për të njëjtën periudhë, u regjistruan 768,807 pasagjerë, ose 24,922 më shumë se këtë vit.
Në prag të festave të fundvitit, Porti i Durrësit hyn në sezonin e lartë për fluksin e udhëtarëve, i cili gjatë dhjetorit është kryesisht i përqendruar në hyrje. Për të përballuar rritjen e fluksit, janë intensifikuar masat në Terminalin e Trageteve, duke nisur nga lundrimet e dyfishta deri te rritja e parametrave të sigurisë dhe shërbimeve për pasagjerët. Gjithashtu, subjektet private që operojnë në sektorin e transportit të udhëtarëve janë angazhuar për të garantuar një përvojë sa më cilësore për të gjithë përdoruesit e shërbimeve portuale.
Porti i Durrësit mbetet një nyje kyçe për lidhjet detare të Shqipërisë me Europën, duke ofruar një platformë të rëndësishme për lëvizjen e pasagjerëve dhe automjeteve, sidomos gjatë periudhës festive.
©️zërionline


