Pinoku, Kukulla e edukimit dhe mosbindjes

Date:

Share post:


Historia e Pinokut, e shkruar nga Carlo Collodi në vitin 1881, është një nga përrallat më të dashura për fëmijët, por thelbi i saj është shumë më i thellë se thjesht tema e gënjeshtrave dhe hundës që zgjatet. Në fakt, Pinoku është një simbol i rëndësisë së edukimit dhe një lavdërim për mosbindjen civile, e cila në duart e Collodit merrte trajtën e një satire shoqërore.

Collodi, përveç se ishte shkrimtar, ishte edhe gazetar dhe satirist, një kritik i ashpër i politikës dhe liderëve të Italisë së kohës. Përmes aventurave të Pinokut, ai përcolli mesazhe të forta mbi rolin e edukimit në formimin e individit dhe rezistencën ndaj padrejtësive. Në rrëfim, djaloshi prej druri shmang shkollën dhe përfundon nga një fatkeqësi në tjetrën. Dembel dhe mosmirënjohës, ai edhe e sulmon Geppeton, krijuesin e tij, duke i vjedhur madje edhe parukën. Kjo çon në burgosjen e tij për akuza absurde, një pasqyrim i padrejtësive të sistemit të kohës.

Në tregimin origjinal, Pinoku nuk ishte kukulla simpatike që njohim sot, por një figurë kokëfortë dhe shpeshherë problematike. Megjithatë, Geppeto e donte pa kushte, duke simbolizuar dashurinë e pakushtëzuar dhe të pafundme për ata që nuk dinë të vlerësojnë. Në fund, përmes një procesi të dhimbshëm, Pinoku mëson vlerën e punës dhe të edukimit, duke u çliruar nga statusi i tij si kukull dhe duke u shndërruar në një djalë të vërtetë.

Edukimi, në këtë histori, përshkruhet si një mjet çlirimi. Pinoku shpëton nga mundësia për t’u bërë “gomar” – një metaforë për individin e shtypur dhe të manipuluar nga të tjerët – dhe zbulon fuqinë e vet për të mos qenë më një kukull e verbër në duart e shoqërisë dhe politikës.

Origjina e emrit të Pinokut

Në rrëfimin e Collodit, Pinoku u krijua nga Geppeto me dru pishe. Emri i tij, në italisht, buron nga fjalët “pino” (pisha) dhe “occhio” (syri), që së bashku përbëjnë “Syri i pishës”. Ky kuptim origjinal humbet kur përkthehet në gjuhë të tjera, por i jep personazhit një lidhje të drejtpërdrejtë me materialin e tij dhe metaforën e tij si një krijim i thjeshtë që kërkon përmbushjen e vetes përmes edukimit.

Pinoku i Collodit mbetet një tregim i fuqishëm, i cili, edhe pas më shumë se një shekulli, na kujton rëndësinë e dijes dhe forcën për t’u çliruar nga kufizimet që na imponon shoqëria.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

“Ule muzikën!”/ Përplasja me armë në Athinë, del në skenë si autor Alket Rizai

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa identifikimi i Rizait u bë pas analizimit...

Dasma luksoze në Durrës/ Djali i Nar Kokës i dha fund beqarisë këtë fundjavë

Ron Koka, i njohur si djali i biznesmenit Leonard (Nar) Koka dhe nipi i ish-ministrit Lefter Koka, i...

Rrogozhinë/ “Do të të vras”! 26-vjeçari kanos me kallash 35-vjeçarin, policia i shkon në banesë

Një konflikt për motive të dobëta në orët e para të mëngjesit rrezikoi të përfundonte në tragjedi në...

Përmbytjet në Elbasan, nis verifikimi i dëmeve

Katër grupe pune kanë nisur ditën e sotme verifikimin dhe inventarizimin e dëmeve të shkaktuara nga moti i...