Në një mjedis të mbushur me shkrimtarë dhe dashamirës të librit, historiani, shkrimtari dhe politikani Uran Butka prezantoi në Durrës librin e tij “Polemika”. Ky botim përmbledh një rrugëtim polemizues mbi 30-vjeçar mbi çështje të nxehta të historisë së Shqipërisë, përfshirë periudhën e luftës, diktaturës komuniste dhe proceset demokratike. Raporti me të vërtetën historike dhe dëshira për të dhënë kontribut të vyer në rishkrimin e historisë përtej ngjyrimeve politike dhe idealizmave mbetet gjithnjë në fokus të punës intelektuale të autorit.
“Synimi im në këtë botim ka qenë që si historian të ndriçoj ngjarje dhe personazhe që janë përbaltur, po meqë jemi në periudhën e rishikimit të historisë, meqë një grup historianësh po punon në këtë fushë për të ndihmësuar korigjimin e historisë; tjetërsimin e figurave të kombit që të dalë një histori e vërtetë dhe të mos lëndohet pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare. Ka mjaft personalitete të Durrësit që janë trajtuar jo historikisht.”
Përmes përballjeve të autorit me historianë dhe figura të njohura, si dhe refleksioneve të tij, “Polemika” trajton tema të ndjeshme të së shkuarës dhe së tashmes, tema që synojnë të qartësojnë raportet e shqiptarëve me të kaluarën historike. Ky libër është mirëpritur nga lexuesit dhe studiuesit, ndaj autori Butka po vazhdon punën për një vëllim të dytë.
“Unë vazhdoj të mbaj një qëndrim kritik, sepse dua që kjo punë e nisur me Polemikat të vazhdojë, derisa shqiptarëve t’u kthehet një histori e vërtetë, sepse një vend, një popull pa një histori të vërtetë është i dështuar.”
Nën moderimin e poetes Teuta Dhima, takimi u çel nga shkrimtari Shpendi Topollaj, i cili referoi mbi këtë vepër të Butkës dhe kontributin e tij në hedhjen dritë mbi momente të rëndësishme historike për shqiptarët. Në takim referoi dhe Kadri Tarelli, ndërsa nxënëse të shkollës “14 nëntori” dhe poeti Agim Bajrami sollën edhe momente poetike gjatë takimit. Ndërkaq autori iu përgjigj pyetjeve të ndryshme të bëra nga të pranishmit të etur për njohjen dhe shkrimin e historisë sa më pranë së vërtetës.


Libri “Polemika” përmbledh një varg polemikash të tjera të autorit mbi çështje me shumë interes në fushën e historisë dhe të shkuarës si polemika me historianin Xhelal Gjeçovi mbi kolaboracionizmin gjatë Luftës, polemika me gjuhëtarin Androkli Kostallari për persekutimin e shkencëtarit Selman Riza, polemika me Diana Çulin mbi dënimin e poetëve të pushkatuar Vilson Blloshmi e Genc leka, polemika me historianin Pëllumb Xhufi mbi Kampin e Tepelenës dhe një varg artikujsh e refleksionesh mbi të vërtetat historike të periudhës së Luftës së dytë Botërore, ngjarjeve të përgjakshme të diktaturës komuniste, deri tek ngjarjet aktuale të marrëdhënieve me Greqinë, mbi urrejtjen, racizmin apo çështjen e Fredi Belerit. Në libër ka dhe një replikë mbi fjalën e Berishës, si dhe një qasje e autorit mbi kërcënimet e Spartak Brahos.
Në morinë e polemikave që trajton, autori ndalet te ngjarjet aktuale, si marrëdhëniet shqiptaro-greke, duke veçuar dhe studimet e historianët që ai i quan “enveristë” dhe që vazhdojnë edhe sot traditën e historiografisë komuniste. Në libër, Butka sjell një histori personale me prokurorin famëkeq të komunizmit, Arianit Çelën, një takim që ngërthen në vetvete kontrastet mes së shkuarës dhe demokracisë së re.
Butka thekson domosdoshmërinë e regjistrimit të historisë mbi baza shkencore.
Përmes këtij libri dhe atij që do të pasojë, Butka vijon misionin e tij për t’u përballur me të vërtetën historike dhe për të hedhur dritë mbi faktet e manipuluara që ende ndajnë shoqërinë shqiptare.
©️zërionline


