Një histori që nisi nga një akt i thjeshtë bamirësie në New York ka bërë jehonë ndërkombëtare, duke prekur zemrat e shqiptarëve kudo në botë. Kanali televiziv amerikan “Abc7” publikoi një video ku këngëtarja e njohur shqiptare Parashqevi Simaku shfaqej teksa merrte ndihma sociale, një moment i papritur që riktheu në vëmendje një nga figurat më ikonike të muzikës shqiptare. E konsideruar një “mrekulli” nga vetë media që publikoi videon e bamirësisë, kjo histori tregon fuqinë e komunitetit për të bashkuar forcat dhe për të dhënë mbështetje në kohë të vështira.Këtë të martë, kanali amerikan në New York, “Abc7” që publikoi për herë të parë videon e Parashqevi Simakut teksa ajo merrte ndihma sociale, ka publikuar një artikull ku e cilëson këtë histori si ‘mrekulli’.
Artikulli i plotë:
Një akt i thjeshtë dashamirësie që ndodhi në “Eyewitness News” është bërë tani një histori e madhe ndërkombëtare. Më 10 Dhjetor 2024, ekipi i “7 On Your Side” po ndiqte një bamirësi lokale, ku po ju shpërndaheshin çanta shpine të pastrehëve. Nina Pineda nga ekipi jonë ndaloi për të komunikuar me një të huaj në Penn Station të New Yorkut pasi ajo mori një nga dhuratat. Gruaja u gëzua jashtë mase me frymën e festës për një dhuratë kaq të thjeshtë, një çantë shpine me furnizime dhe një shënim të shkruar me fjalë inkurajuese nga një grup i quajtur “Just Love Blessings”.

Ajo që ndodhi më pas, po quhet një mrekulli. Gruaja me të cilën foli Nina është këngëtare. Rezulton se ajo është aq e famshme, sa njerëzit në vendin e saj e njohën menjëherë nga fragmenti. Ajo quhet Parashqevi Simaku, një këngëtare nga Shqipëria dhe është një nga thesaret e tyre kombëtare.
“Ajo ishte si Madona e Shqipërisë”, tha një nga fansat e saj, Bale Erbeli.
Erbeli ishte duke gatuar kur pa klipin dhe menjëherë njohu Simakun, e cila kishte qëndruar me familjen e saj në Nju Xhersi, në vitin 1986 (?!) kur nisi karrierën e saj.
Menjëherë, komuniteti shqiptaro-amerikan u bashkua shpejt duke shpërndarë pamjet në të gjithë rrjetet sociale. Madje ka arritur tek një prej influencuesve më të mëdhenj, Elton Ilirjani. Ai është model dhe biznesmen. Sapo shikoi gjendjen e rëndë të ikonës shqiptare, ai dhe të tjerë e gjetën Simakun në Penn Station brenda 2 ditësh.
“Kam pesë vjet që e kërkoja. Vrapova drejt saj dhe e përqafova. Ajo më tha: Rri larg meje pasi kam fjetur jashtë.” Ilirjani tregon se i ofroi Simakut një dhomë për të fjetur: “Ajo bëri një dush të gjatë. Mbretëresha ishte kthyer. Ajo bëri flokët dhe grimin. Ajo është e bukur. Dhe ne shkuam në një restorant në Hudson Yards ku ajo këndoi në anglisht dhe frëngjisht”. Parashqevi tha për Eyewitness News se askush nuk shkon nga rrugët drejt yjeve, por se ajo po bëhet më mirë dhe komuniteti i saj vazhdon ta mbështesë.
©️zërionline


