Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi buxhetin për vitin 2025 dhe projektbuxhetin afatmesëm 2025-2027 me 29 vota pro dhe 8 abstenime. E ndërsa këshilltarët e opozitës, të pranishëm në sallë, abstenuan në votim, vetëm njëri prej tyre, Samet Vata, këshilltar i grupimit politik të përfaqësuar nga L. Basha, votoi Pro buxhetit duke ngritur kartonin jeshil.
Buxheti i vitit 2025 kap vlerën e 5.4 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej 21% krahasuar me vitin 2024. Ky buxhet do të financohet nga të ardhurat nga taksat dhe tarifat (49%), transfertat e buxhetit qendror (41%) dhe fondet e trashëguara nga viti i kaluar (1%).
1.9 miliardë janë planifikuar për investime.
Investimet kryesore për periudhën 2025-2027
Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit afatmesëm, përveç shpenzimeve që zenë pjesën e luanit, është planifikuar për investime, ku spikasin:
– Përfundimi i procesit të rindërtimit pas tërmetit.
– Rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” dhe Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”.
– Ndërtimi i shkollave 9-vjeçare “Met Hasa”, Vadardhë, “Vasil Ziu” dhe “Nënë Tereza”, si dhe gjimnazi në Manëz.
– Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në qytet dhe njësitë administrative, duke rehabilituar 9.6 km rrugë dhe 2 km rrjet ndriçues.
– Rikualifikimi i shesheve publike.
Bashkia Durrës do të financojë nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme që përfitojnë bursa ekonomike sipas ligjit, si dhe do të mbështesë financiarisht nxënësit me rezultate të shkëlqyera. Gjithashtu, do të vijojnë investimet në rikonstruksionin dhe mobilimin e shkollave me pajisje të reja.
Në fushën e shërbimeve sociale dhe strehimit, buxheti parashikon:
– Subvencionimin e qirasë dhe interesave të kredive të buta për familjet në nevojë.
– Mbështetje për gratë e dhunuara përmes projekteve ligjore dhe psikologjike.
– Përmirësimin e kushteve të objekteve dhe banesave ekzistuese me një fond prej 25.3 milionë lekësh, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Në fushën e kulturës dhe sportit, bashkia do të bashkëfinancojë rikonstruksionin e Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” dhe do të japë grante për të rinjtë për zhvillimin e iniciativave ekonomike lokale, me një fond total prej 4 milionë lekësh.

Gjatë mbledhjes, këshilltari demokrat Ardian Muka ngriti shqetësimin për mungesën e 6.3 milionë eurove nga të ardhurat e bashkisë që prej vitit 2018, sipas raportit të KLSH-së. Kryebashkiakja Emiriana Sako e quajti lajmin fiktiv, duke sqaruar se shuma lidhet me debitorët dhe pasaktësitë në raportimet e KLSH-së. Madje duke dashur të intimidojë këshilltarët bashkiakë deklaroi se dhe mes tyre e në sallë ka plot debitorë.
Buxheti 2025 dhe projektet e parashikuara për 2025-2027 tregojnë se fokusi është vënë në rindërtim, infrastrukturë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët e Durrësit, bashkisë me mbi 300 mijë banorë.
©️zërionline


