Këtë fillim viti, Alketa Tragaj Myshketa është emëruar drejtuesja e re e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Prezantimi i saj u bë mëngjesin e së mërkurës në ambientet e kësaj qendre, në prani të stafit të saj.
E njohur për artdashësit durrsakë si një piktore e talentuar dhe drejtuese e një qendre për talentet e vegjël të qytetit bregdetar, Tragaj ka një karrierë gjithnjë në rritje në fushën e artit pamor. Ajo ka mbajtur më parë postin e përgjegjëses së galerisë së artit pamor “Nikolet Vasia” dhe Muzeut Etnografik ku ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në promovimin e traditës, artistëve dhe organizimin e ekspozitave të ndryshme.

Me këtë emërim, Tragaj zëvendëson ish-drejtorin Elio Bajramaj, i cili ka drejtuar qendrën gjatë një periudhe sfiduese për artin dhe kulturën në qytet, duke sjellë një gjallërim të jetës artistiko-kulturore në Durrës.
Emërimi është bërë nga kryetarja e bashkisë Durrës Emiriana Sako, që i ka besuar Alketa Tragaj një nga institucionet më të rëndësishme për zhvillimin social, kulturor dhe edukativ. Përmes ruajtjes dhe promovimit të identitetit tonë kulturor dhe aktiviteteve të ndryshme, Qendra Kulturore synon të pasurojë jetën artistiko-kulturore në Durrës dhe ndërgjegjësojë komunitetin për rëndësinë e artit në zhvillimin e shoqërisë.
Pritet që nën drejtimin e Alketa Tragajt, Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu” të vijojë të luajë një rol kyç në zhvillimin e jetës artistike dhe kulturore të Durrësit, duke ofruar aktivitete dhe projekte që pasqyrojnë diversitetin dhe pasurinë kulturore të qytetit bregdetar dhe më gjerë.
V. Qyrfyci
©️zërionline


