Një operacion i koordinuar mes disa institucioneve të zbatimit të ligjit çoi në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme nafte të dyshuar si e kontrabanduar nga Tunizia dhe arrestimin e disa personave të përfshirë. Operacioni policor, i koduar “Ari i Zi,” çoi në sekuestrimin e 670 000 litra naftë e dyshuar kontrabandë, e fshehur në balastrat e anijes, të përdorura për balancimin e saj. Gjithashtu u sekuestrua anija “AYA Zanoubya”, 14 dokumente identifikimi dhe të lundrimit, 10 celularë dhe dokumente të tjera që mund të ndihmojnë hetimet.


Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë tre persona:
– Mohammd Kahilah, 45 vjeç, me shtetësi siriane, kapiten i anijes.
– Eneo Cano, 43 vjeç, me shtetësi shqiptare, marinar në bord.
– Sushil Vema, 42 vjeç, me shtetësi indiane, oficer i parë i anijes.
Pesë pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit u proceduan penalisht në gjendje të lirë, ndërsa dy organizatorët kryesorë të dyshuar, Eldorjan Sula, 59 vjeç, banues në Durrës, dhe Fation Bardhi, 29 vjeç, banues në Zvicër, janë shpallur në kërkim dhe po punohet për lokalizimin e tyre.
Operacioni erdhi si rezultat i punës së koordinuar mes Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës, Antikontrabandës, Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Policisë së Shtetit, Guardia di Finanza dhe Degës së Doganës në Durrës.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore.
©️zërionline


