Rosalind Franklin ishte një grua e pakompromis, me mendime të forta dhe pa frikë për t’i shprehur ato. Por ajo gjithashtu e shijonte jetën, duke kaluar kohë me miqtë në darka të vogla mbrëmjeve ose duke bërë shëtitje dhe udhëtime me biçikletë nëpër male gjatë fundjavave. Miqtë e saj thoshin se ajo kishte një humor të hollë dhe të zgjuar, shpesh duke bërë shaka me ta.
Rosalind lindi në vitin 1920 në Londër, në një familje të pasur bankierësh. Që e vogël, ajo e urrente të luante me kukulla dhe lojërat imagjinare. Ishte gjithmonë logjike, e drejtpërdrejtë dhe kërkonte fakte e arsye.
Si vajza e vetme mes tre vëllezërve për dhjetë vitet e para të jetës së saj, ajo donte gjithashtu të shihej si e fortë. Ajo shpesh injoronte dhimbjet dhe sëmundjet; një herë, madje, eci disa blloqe deri në spital me një gjilpërë në gju.
Ishte në shkollë të mesme kur Rosalind ra në dashuri me shkencën, veçanërisht me kiminë dhe fizikën. Në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare vendosi të bëhej shkencëtare. Synimi i saj ishte të ndiqte studimet në Universitetin e Kembrixhit, ku u pranua. Por babai i saj, i cili nuk besonte në arsimimin universitar për gratë, refuzoi të paguante shpenzimet. Një hallë, motra e babait të Rosalind, u ofrua të paguante për të, ashtu si dhe nëna e saj. Me tre gra kundër vendimit të tij, babai i Rosalind hoqi dorë dhe pranoi të financonte arsimimin e saj universitar.
Pas diplomimit, Rosalind nisi punën në Shoqatën Britanike të Kërkimit për Përdorimin e Qymyrit në Londrën e Jugut. Ishte periudha e Luftës së Dytë Botërore, dhe për të shkuar në punë ajo duhet të udhëtonte me biçikletë mes sulmeve ajrore. Nuk ankohej kurrë, por kishte frikë.
Përkushtimi ndaj punës e ndihmoi Rosalind të përballonte këto sfida. Ajo pati shumë sukses në punën e saj, duke publikuar pesë artikuj shkencorë që edhe sot citohen, si dhe dhjetëra studime të tjera. Kërkimet e saj ndryshuan mënyrën se si shkencëtarët e kuptonin qymyrin dhe strukturat e ngjashme, dhe puna i dha asaj një doktoraturë. Në atë kohë, Rosalind ishte vetëm 26 vjeçe dhe tashmë një eksperte në fushën e saj.
Ishte gjithashtu gjatë kësaj pune që Rosalind kuptoi se duhej të mësonte teknologjinë e rrezeve X për të kuptuar më mirë materien fizike, atë nga e cila është ndërtuar universi. Ajo studioi, u bë eksperte dhe, falë kësaj ekspertize, iu ofrua një pozicion në Kembrixh për të analizuar fotografitë me rreze X të molekulave të ADN-së.
Duke u përqendruar në përcaktimin e strukturës molekulare të ADN-së, ajo realizoi fotografi me rreze X që u konsideruan më të bukurat e kohës. Ashtu si në punët e mëparshme, ajo bëri zbulime të rëndësishme, përfshirë strukturën e spirales së dyfishtë. Kërkimet e saj ndihmuan në ndërtimin e kuptimit të ADN-së.
Por, për shkak të paragjykimeve gjinore të kohës, Rosalind mori pak merita për punën e saj. Kërkimet që ajo ndihmoi të formësonte u shpërblyen me çmimin Nobel për disa burra, të cilët i dhanë pak ose aspak kredite për kontributin e saj të vlefshëm.
Rosalind i dedikoi jetën shkencës. Nuk u martua kurrë. Madje, edhe dashurinë për fëmijët e la mënjanë për hir të shkencës, pasi nuk mund ta imagjinonte të linte fëmijët e saj të rriteshin nga dado, ndërsa ajo punonte.
Jeta e Rosalind Franklin u ndërpre tragjikisht kur ajo vdiq nga kanceri i vezoreve në moshën 37-vjeçare.
©️zërionline


