Në verën e vitit 1986, një fermer suedez bëri një zbulim të pazakontë në bodrumin e një shtëpie të braktisur: arka të mëdha druri, mbuluar me pluhur, që përmbanin 1200 piktura me figura gjeometrike dhe ngjyra të forta. I habitur nga ajo që pa, ai kërkoi ndihmën e një fqinji dhe më pas të ekspertëve të artit. Disa javë më vonë, Muzeu i Artit i Stokholmit njoftoi një lajm befasues. Veprat ishin firmosur nga Hilma af Klint, një artiste e panjohur që kishte pikturuar art abstrakt dekada përpara Kandinsky-t, Malevich-it dhe Mondrian-it.
Por pse këto vepra kishin mbetur të fshehura për kaq gjatë?
Ajo ishte një vizionare e pakuptuar nga koha e saj. Hilma af Klint lindi në Stokholm në vitin 1862, në një familje intelektuale. Babai i saj, një matematicien, i ushqeu që herët pasionin për gjeometrinë dhe artin. Ajo studioi në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura dhe nisi një karrierë të suksesshme duke pikturuar peizazhe dhe portrete. Por ajo që e ndau nga bashkëkohësit e saj ishte prirja për të eksploruar botën e padukshme përmes artit.
Në fund të shekullit XIX, zbulimi i rrezeve X dhe valëve elektromagnetike ndezi imagjinatën e Hilmës. Ajo filloi të besonte në ekzistencën e botëve paralele dhe energjive të padukshme. E frymëzuar nga spiritualizmi dhe seancat me shpirtrat, ajo krijoi një kolektiv me pesë gra të tjera, me të cilat eksperimentoi me pikturën automatike, një praktikë që më vonë do të bëhej bazë për surealistët.
Në fshehtësi, Hilma nisi të krijonte një univers të ri artistik. Piktura të mbushura me simbole mistike, spirale dhe forma gjeometrike të harmonizuara me natyrën. Por, e vetëdijshme për normat konservatore të kohës, ajo nuk guxoi t’i ekspozonte. Për vite me radhë, ajo bëri një jetë të dyfishtë. Gjatë ditës pikturonte punë të zakonshme për të siguruar jetesën, ndërsa në fshehtësi eksperimentonte me vizionet e saj revolucionare.





Amaneti
Hilma af Klint nuk kërkoi famë gjatë jetës. Në testamentin e saj, ajo i la nipit të saj 1200 pikturat, me një kusht të qartë, ato të mbeteshin të mbyllura për të paktën 20 vjet pas vdekjes së saj. Ndoshta mendonte se bota nuk ishte ende gati për artin e saj, ose ndoshta e shihte atë si art tepër personal. Por fati deshi që veprat e saj të mbeteshin të fshehura edhe më gjatë, derisa u zbuluan rastësisht në vitin 1986.
Sot, Hilma af Klint njihet si një nga pioniereve të vërteta të artit abstrakt, një artiste që krijoi përtej kufijve të kohës së saj. Në një epokë ku gratë kishin pak mundësi të shpreheshin lirisht në art, ajo e zgjodhi artin dhe e lëvroi atë duke i vënë vulën e saj mistike.
Sot, veprat e saj ekspozohen në muzetë më të mëdhenj të botës dhe Hilma af Klint njihet si një artiste që sfidoi kohën e saj dhe krijoi për të ardhmen.
©️zërionline


