Nën magjinë e Torrës Veneciane u zhvillua në Durrës mbrëmjen e kaluar takimi me filozofin, profesorin Përparim Kabo, mbi librin e tij “Epistolate, Antropologjia e Frymës”. Takimi u organizua nga klubi i librit “Gjergj Vlashi” nën kujdesin e Artion Beqiraj në bashkëpunim me Qendrën Muzeore Durrës.


Libri është një risi në këndvështrimin e historisë shqiptare dhe figurave të saj me pro-të e pse-të. Profesor Kabo ndërton një komunikim përmes letrave me to duke vlerësuar kontributin e tyre si pilastra të kombit shqiptar në raport me historinë. Filozofia e tij në ndërthurje të epistolateve vlerëson rëndësinë e kombit, gjuhës, kulturës, familjes, lidhjen e pandarë të një evolucioni midis momentesh vendimtare dhe rrjedhës së paparashikuar të tij.
Antropologjia e frymës sjell në vëmëndje që vlera humane shkon përtej formës, kjo e shprehur prej tij në lidhje me Nënë Terezën në libër dhe shkrime ndër vite. Një mënyrë e bukur për të afruar njerëzit me vlerat e brendshme shpirtërore. Vlerësimi që i bën momenteve kyçe të historisë që nga Skëndërbeu, Abdyl Frashëri, Gjergj Fishta, Ismail Qemali, Fan Noli etj. përcjell ndjesinë e madhështisë së frymës përtej momentit që jetuan.
Vlera e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare aq bukur e përcjellë me Naim Frashërin, Migjenin, Petro e Jamarbër Markon, Dhora Lekën duke ardhur tek kolosët e aktrimit Kadri Roshi e Sandër Prosi, që bashkëbisedojnë me personazhet e tyre. Zëri i ikonës Vaçe Zela kumbon ndër rreshta për timbrin e saj unik. Sporti, si pjesë e jetës me dy ikona të tij, Panajot Pano e Arben Minga. Respekti për mësuesen e tij të gjuhës shqipe prof. Triumfe Hoti dhe profesorin e estetikës prof. Tefik Çaushi, transmetojnë frymën e mësimdhënies që shkon përtej librit shkollor.
Një emocion të veçantë sjell komunikimi i përtejmë me piktorin Ilirian Zari, një i ri vrarë tragjikisht në kufi, ku profesor Kabo jep ndjesitë e tij aq bukur me krijimet e piktorit, ku ngelet dhe përtej fryma e familjes.
E gjithë kjo pa harruar që në histori ka Jago, si Esat Pashë Toptani i evidentuar në letrën e tij si antishqiptar në frymë. Brenga e vjetër për Princ Vidin përcjell ndjesitë e fatit që nuk ishte, duke përshkruar ato 6 muaj aq të jetuara, por edhe të trishta mbi lojën në kurriz të Shqipërisë.
Torra Veneciane është dëshmitare e asaj kohe të jetuar, ku gjatë takimit me prof. Kabon u përcoll fryma që kultura sjell liri.
Faleminderit Profesor Kabo!
Romir Nelo Llukaçi
©️zërionline


