Një punonjës policie është arrestuar dhe disa persona janë shpallur në kërkim pas një operacioni të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Operacioni i koduar “TURNI” çoi në ndalimin e inspektorit Armand Marvataj, 21 vjeç, punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Durrës, i cili akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Gjithashtu, janë shpallur në kërkim J. Koka, 31 vjeç dhe D. M., 34 vjeç, të dyshuar për “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”, “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” dhe “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Nafta e sekuestruar u zëvendësua me ujë
Sipas hetimeve, më 27 janar 2025, rreth orës 15:00, të arrestuarit dhe personat në kërkim kanë nxjerrë një sasi të konsiderueshme nafte nga anija “AYA ZANOYBYA”, me flamur të Tanzanisë, e cila ishte e ankoruar dhe e sekuestruar në Porto Romano si provë materiale nga Prokuroria e Durrësit.
Inspektori Armand Marvataj dyshohet se ka marrë 10,000 euro ryshfet nga shtetasi Juxhin Koka, për të lejuar nxjerrjen e naftës në bashkëpunim me pjesëtarë të ekuipazhit të anijes. Hetimet zbuluan se sasia e naftës në anije ishte zëvendësuar me ujë për të fshehur krimin.
Autoritetet kanë kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë këqyrjen e anijes, analizimin e pamjeve filmike në Porto Romano dhe marrjen e mostrave nga rezervuarët e anijes për ekspertizë.
Në vijim të hetimeve, janë proceduar në gjendje të lirë edhe 7 persona të tjerë, mes tyre katër shtetas sirianë dhe një egjiptian, të dyshuar për përfshirje në këtë skemë:
- L. K., 29 vjeç
- F. I., 23 vjeç (shtetas sirian)
- A. Sh., 22 vjeç (shtetas sirian)
- S. Sh., 25 vjeç (shtetas sirian)
- H. B., 47 vjeç (shtetas sirian)
- S. B., 53 vjeç (shtetas egjiptian)
- W. B., 42 vjeç (shtetas sirian)
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për hetime të mëtejshme.
AMP ka deklaruar se mbetet e angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkelje të ligjit nga punonjësit e strukturave shtetërore.
©️zërionline


