Kepi i Rodonit, një udhëtim drejt tokës së perëndisë ilire të detrave

Date:

Share post:

Kënaqësi, natyrë, histori dhe aktualitet. Një lojë e fortë ngjyrash, peisazhesh dhe shtigjesh që gjarpërojnë drejt bregdetit përmes një bimësie të harlisur. Këto dhe shumë më tepër: histori që vjen që nga antikiteti, monumente të trashëgimisë kulturore mbi dhe nën ujë, gojëdhëna me perëndi ilire, zhvillime mesjetare dhe kujtesë e mëpasshme historike ofrohen plot bujari nga Kepi i Rodonit. Edhe pse temperaturat janë të larta, kjo kurrsesi nuk të ndalon për të udhëtuar drejt Kepit, që mban emrin e hyut, perëdisë ilire të detit, Redonit apo Rodonit. Mitologjia vjen e përjetësuar në këtë Kep që ndodhet vetëm 49 km larg Durrësit dhe 58 km larg Tiranës. Dikur vendbanim ilir e më pas pjesë e principatës së Topiajve dhe e rrethit të Durrësit, Kepi i Rodonit është sot në territorin e njësisë administrative Ishëm të bashkisë Durrës. Përveç rrugës tokësore, këtu mund të mbërrish dhe përmes asaj detare falë një skele të portit të lashtë që ende është funksionale. Për ata që janë më të përgatitur fizikisht dhe në kërkim të adrenalinës, udhëtimi me biçikletë në Kep është fantastik, plot aventurë, të papritura që e gjithë zona ofron.

Kisha e Shën Ndoit

Një atraksion i rrallë plot emocione të papërshkrueshme dhe që të largon nga stresi dhe rutina e përditshme. Një magji natyrore dhe historike, që flet për një bastion portual antik, fortifikimin mesjetar dhe bunkerizimin e vendit gjatë diktaturës, shenjtërinë e zonës për shkak të pranisë së kishës së Shën Ndoit, por dhe problemet me pronësinë e kësaj perle të natyrës. Një tra, që duhet kaluar kundrejt një pagese të vendosur nga kisha françeskane për t’u futur në zonën e parajsës turistike të natyrës, të shkëput vetëm për pak çaste nga ajo që të pret, teksa depërton në zemër të Kepit të Rodonit, që shtrihet si një gadishull i vogël në det. Një tra, që mban gjallë konfliktet në zonë.

Pasi ndal makinën në parkingun natyror pranë Kishës, terreni përshkohet në këmbë. Nuk është terren i lehtë, por e veçanta dhe sfida për të shijuar natyrën dhe trashëgiminë aq të pasur kulturore të zonës është joshëse. Disa shkallare druri të vendosura në shtegun që të drejton për te Kalaja e Skënderbeut e lehtësojnë lëvizjen drejt fortifikimit mesjetar.

“Tek toponimi Kepi i Rodonit, i cili përmendet edhe në dy dokumente mesjetare të vitit 1324 në trajtat Redonum e Rhedones, është ruajtur një emër i lashtë, një toponim i trashëguar nga fondi gjuhësor ilir.”– shkruan arkeologu Hasan Ceka në punimin e tij “Busti i mbretit Gent apo figurë e mitologjisë ilire?”

Sot e kësaj dite, Kepi mban emrin e Redonit dhe, si dëshmi e historisë së lashtë të qytetërimit dhe gjuhës ilire, ky duket vendi ideal për një hyjni detrash. I veçuar si një rrip toke që futet në det, Kepi përjeton një dashuri platonike mes të sotmes dhe së djeshmes, ende të parealizuar, si dhe mes tokës, detit e qiellit duke ftuar për një epokë të re të zhvillimit të ekoturizmit në zonë, pasi ka shumë për të ofruar përveç diellit, detit dhe plazheve të fshehta e romantike.

Për Alban Ramohitaj, drejtor i Qendrës Muzeore Durrës dhe anëtar i Këshillit Bashkiak Durrës, krijimi i një parku natyror e mjedisor me elemente të pasura arkeologjike dhe kulturore, të vizitueshme në çdo stinë do t’i jepte një nxitje të ndjeshme turizmit kulturor, detar dhe eko-turizmit në këtë zonë e cila ndodhet vetëm një orë e pak larg Tiranës dhe Durrësit. 

Kepi përfshin gjithçka. 

“Natyrë, histori, monumente kulture, kisha, fortifikimi i Skënderbeut dhe kujtesa komuniste, bunkerët dhe kazerma ushtarake, po dhe agroturizmet e shumta në zonën përreth e bëjnë Kepin e Rodonit një destinacion mjaft tërheqës dhe unik që ia vlen të vizitohet në çdo stinë të vitit.”– thotë Arjana Isaku, sipërmarrëse në sektorin e turizmit.

Kepi i Rodonit njihet dhe për shafranin që rritet në gjendje të egër.  Kjo erëz e rrallë që vjen nga pistili i bulbës së quajtur crocus sativus ndonëse nuk është pjesë e traditës kulinare shqiptare dhe pak njihet nga vendasit, së fundmi ka marrë vëmendje për fuqinë dhe vlerat e jashtëzakonshme të saj dhe kërkesën e tregut për këtë shafran të kategorisë së parë. Shafrani që konsiderohet si antiseptik, antibakterial natyral, trajtues i dhimbjeve te stomakut, e pagjumësisë, quhet ndryshe dhe ilaçi i lumturisë.

Sipas historianit Marin Barleti, heroi jonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu gjithnjë zgjidhte Kepin e Rodonit, apo Bishtin e Muzhlit siç njihej ndryshe, për të pushuar ndërmjet betejave me turqit. Historia tregon se dhe e motra, Mamica kaloi vitet e fundit të jetës në manastirin afër kishës. Dokumente dhe shkrime të Raguzës përgjatë viteve 1324-1374 përmendin kishën, një ndërtesë arkitekturore e stilit romanik-gotik e shek. XIII dhe fretërit e saj.

Kalaja, pjesë e një fortifikimi tipik mesjetar i bastionuar tërheq vizitorët në çdo stinë. 

Dallgët e lehta që përplasen në breg dhe mbi muret e fortifikimit të kthejnë pas në kohë duke dëshmuar rezistencën e shqiptarëve në këtë pjesë të brigjeve të Adriatikut, po dhe joshjen që e gjithë kjo zonë mbart për vendasit dhe të huajt dje dhe sot. Sipas Marin Barletit dhe kronikanëve të kohës, fortifikimet nisën nga Skënderbeu. Kështjella kishte planimetri drejtkëndëshe dhe me katër kulla mbrojtëse në anët e saj.

Kërkimet nënujore në këtë zonë kanë zbuluar relike anijesh që i përkasin shek. 3-4 p.e.s., po dhe relike të një anijeje mesjetare. Anijet, sipas arkeologëve durrsakë, besohet se transportonin drejt Durrësit dhe destinacioneve të tjera mesdhetare ngarkesa të perziera me amfora korintike B dhe MGS, si dhe tulla, tjegulla e qeramikë fine. Këtyre gjetjeve iu shtuan dhe elemente plumbi të spirancave të anijeve.

Arkeologia e Qendrës Muzeore të Durrësit Eda Çekrezi na shton dhe më shumë kërshërinë mbi trashëgiminë e pasur kulturore të kësaj zonë. 

“Përveç fortifikimit të Skëndërbeut dhe kishës, po merret në konsideratë dhe prania e një fari ndriçues (në veri-perëndim të Kepit), bazuar në të dhënat dhe hartat e albanologëve që vizituan Shqipërinë në shek. XIX, si studiuesi hungarez Teodor Ipen, i cili 100 vjet më parë dokumentoi praninë e një fari në Kep. Një tjetër kërkim është përqëndruar në gjetjen e rrenojave të Manastirit të Shën Klarës, ku qëndroi deri në fund të jetës së saj Mamica motra e Skëndërbeut. Po vlerësohet mundësia që manastiri të ndodhet pranë kishës së Shën Ndoit.”

Përtej dëshmive të antikitetit dhe mesjetës, e gjithë zona ruan të gjalla dhe një pjesë të mëvonshme të historisë, atë të pas Luftës së Dytë Botërore. Bunkerë dhe qendra strehimi në rast sulmi nga armiku imagjinar dëshmojnë një pjesë tjetër të historisë shqiptare, aq shumë interesante për turistët e huaj në kërkim të historisë dhe vlerave unike.

E teksa zhytesh nëpër shtigje të shkelura e të pashkelura, befasohesh nga panoramat mbresëlënëse që të shfaqen nga lartësitë kodrinore që bien mbi det, si dhe larmia e ngjyrave. Bluja e thellë e detit, shkuma e bardhë, vija e horizontit dhe tonalitetet e se kaltres e së kuqërremtës nga muret e fortifikimit dhe e gjelbra e bimëve, që nuk duan t’ia dinë për stinën, të magjepsin. Një qen shoqëron vizitorët në Kep dhe nuk nguron as të pozojë para objektivit të aparatit fotografik.

Nuk mund të mos tërheqë vëmendjen edhe në këtë pjesë të bregdetit të Adriatikut, erozioni që po kërcënon një pjesë të fortifikimit.

Megjithatë këtu duket sikur koha ka ngecur dhe jeton në një tjetër dimension kohor. I shkëputur nga qendrat urbane dhe rurale. Natyra të godet me madhështinë e virgjërinë e saj të paprekur dhe pse vetëm pak kilometra larg metropolit shqiptar Durrës-Tiranë. Të vetmet që e cenojnë paprekshmërinë e natyrës janë mbetjet urbane, të mbetura pas nga frekuentuesit ditorë dhe nga derdhja e lumejve të ndotur në det që pas çdo zbatice lënë në breg dëshmitë e një problemi të mprehtë që kërkon vëmendjen e të gjithëve për këtë zonë kaq të bukur, dikur një nga portet antike të Durrësit që dhe nënujë shpalos një botë të pasur me bukuri dhe dëshmi të tjera që duhen ruajtur dhe promovuar për të zhvilluar zonën, aq të pasur në histori e vlera, dhe banorët e saj.

Vali Qyrfyçi

Rrugët për tek Kepi i Rodonit:

Durrës – Sukth – Ishëm- Draç – Kepi i Rodonit

Tiranë –  Manëz – Ishëm – Draç – Kepi i Rodonit

@zërionline

*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.

spot_img

Artikuj të lidhur

Një mësues humb jetën në rrugën e shkollës dhe harresës

Ai nuk ishte ushtar, por ra në krye të detyrës. Nuk kishte armë, por një çantë me ditarin...

Para pa deklaruar dhe pajisje të dyshimta, në pranga 49-vjeçari në dalje të Portit

Një 49-vjeçar nga Durrësi është arrestuar në flagrancë në Pikën e Kontrollit Kufitar të Portit të Durrësit, pasi...

Ndërtime pa leje në Himarë, Prokuroria e Vlorës dërgon në gjyq 7 persona

Prokuroria e Vlorës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq për shpërdorim detyre 4 ish-zyrtarët e IMT-së Himarë dhe 3 shtetas për...

Përfundimisht 30 vite burg shqiptares që masakroi çiftin Tasho në Itali

41-vjeçarja shqiptare, Elona Kalesha është dënuar me 30 vite burg nga Gjykata e Kasacionit në Itali. Dënimi i...