“Dita e Miqësisë së Gazetarëve”, rrugëtim në tre shtete

Date:

Share post:

Nga Besim Dybeli

Udhë e gjatë e një aktiviteti. “Dita e Miqësisë”, kështu u pagëzua para 14 vitesh në qytetin e Elbasanit, ardhja e shumë gazetarëve nga të katra anët e Shqipërisë. Festa kaloi mrekullisht bukur. Tryeza e bashkëbisedimit u shndërrua në këmbim përvojash e problemesh në gjirin e gazetarëve. Nuk mbeti e lokalizuar. Në bashkëpunim me kreun e UGSH, Aleksandër Çipa, dhe mbështetjen nga drejtuesi i shoqatës “RessEgnatia”, Xhimi Vila, ky aktivitet do të merrte shtrirje në shumë qytete të Shqipërisë. Njëkohësisht, edhe në të gjitha trojet shqiptare në rajon. Ky vit shënonte 14-vjetorin. Kaluam kufirin shtetëror…  

Maqedonia e Veriut (Shkup)

Udhëtojmë nga Rruga e Kombit. Pak më gjatë, por rruga më e mirë. Kalojmë lehtë në Hanin e Elezit. Në Shkup arrijmë pas disa orësh. Autobusi dhe pak makina personale arrijnë në mesditë. Akomodohemi në hotele. Më pas nis axhenda ditore. Një takim i ngrohtë në zyrën e zëvendëskryeministrit. Shkëmbejmë mendime e propozime konkrete. Takimi masiv rreth orës pesë në mbrëmje. Nis forumi “Dezinformimi në media”. Pjesëmarrës aktivë mjaft gazetarë maqedonas. Na bashkonte profesioni, që sfumonte kombësinë. Darka e këndshme dhe plot biseda vëllazërore. Nga pritësit qeveritarë dhe kolegialë, një shembull vlerësimi e bashkëpunimi…  

Serbi (Preshevë & Bujanoc) 

Udhëtojmë përmes Kosovës për të kaluar në Serbi. Në pikën kufitare dhe doganore serbe kalojmë lehtësisht. Autoritetet korrekte dhe me kulturë. Në Luginë vijmë për herë të dytë. Para katër vjetësh ishim këtu. Mall e kureshtje për bashkëkombësit tanë në këtë shtet. Kështu janë ndarë kufijtë. Një takim i ngrohtë me kryetaren e komunës dhe stafin e saj. Këtu e në Bujanoc, edhe ambasadori ynë në Beograd. Udhëtova pak kilometra në makinën e tij. Folëm për mundësitë e ndihmës në Luginë. Shoferi, një shtetas serb, korrekt dhe me kulturë.  

Drejtuesja e komunës shpreh kënaqësinë e pranisë së gazetarëve shqiptarë dhe shpalos punën e shqetësimet e komunitetit. Të njëjtat kanë mbetur këtu e katër vite, kur ishim. Papunësia, infrastruktura e dobët, pasivizimi i adresave për shqiptarët në emigrim, arsimimi me tekste shqip, mungesa e investimeve – disa nga shqetësimet dhe nevojat këtu. Qeveria e Kosovës ka bërë diçka për të ndihmuar këtë komunitet brenda ligjeve serbe dhe atyre ndërkombëtare. Pak a shumë edhe ajo e Tiranës. Nga kjo e fundit presin më shumë. Mundësitë janë. Mes shumë nevojash, edhe vendosja e një korrespondenti të RTSH-së në këtë zonë. Në median shqiptare, shtetërore e private, pak flitet për hallet e Luginës.  

Edhe në Bujanoc e njëjta tablo. Kreu i komunës dhe një pjesë e stafit na presin në sallën qendrore. Ambasadori ynë, pa thyer asnjë protokoll diplomatik, na shoqëron edhe këtu. Autoritetet komunale flasin me respekt për të. Përpjekjet e tij për problemet sociale vlerësohen gjithandej. Kreu i komunës, një djalë simpatik e kurajoz, na paraqet një tablo të jetës këtu. Gati të njëjtat probleme. Tekstet shqip lejohen vetëm në klasën e parë. Pra, vetëm Abetarja “flet” shqip këtu. Në klasat vijuese, mësimi pa libra. Çfarë mund të përvetësojnë nga ligjërimi i mësuesit.  

Takim edhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar. Flet korrekt e me “këmbë në tokë”. Shqetësimet e tyre mbeten obligim mediatik për ne, por obligim kushtetues për qeverinë e Kosovës dhe Shqipërisë. Ne e kemi bërë dhe do ta bëjmë detyrën tonë si njerëz të medias. Besojmë se edhe autoritetet e dy shteteve do të bëjnë më shumë.  

Sakaq, atmosfera e darkës na pushton të gjithëve. Muzika e bukur shqiptare na bashkon më shumë. Nuk u emetuan melodi apo këngë me doza nacionaliste, që mund të ngjallnin keqkuptime. Natë vonë prehemi në hotele. E nesërmja, një tjetër udhëtim.  

Kosovë (Pejë)  

U nisëm nga toka shqiptare e po mbërrijmë në të njëjtën tokë. Në Pejë na presin si vëllezër e motra. Hera e parë këtu e këtij aktiviteti. Autoritetet komunale na presin para portës hyrëse të Patriarkanës Ortodokse. Thellë, rrëzë malit, në dalje të qytetit, një “oaz” historie. Shohim gjithçka, por aq sa lejohet për çdo vizitor. Më pas, mbresëlënëse vizita në muze e në çarshi.  

Jeta rrjedh nga historia e brezave. Por në muze, stendat dhe objektet të sjellin para syve “honet” e historisë së lashtë me trimëri e luftëra për tokën mëmë. Herojtë shpalosen nga lashtësia e në ditët e sotme. Krenari dhe dinjitet patriotik. Si kudo, edhe këtu pritje e ngrohtë dhe vëllazërore.  

Kthehemi sërish nga rruga përmes Kombit. Në Tiranë, natën vonë. Mbresa e kujtime, që kolegët po i hedhin në mediumet e tyre. Pushteti ynë mbetet vetëm fjala. Shpresojmë të dëgjohet.  

Ishte ky edicioni i 14-të i “Ditës së Miqësisë” së gazetarëve shqiptarë. Respekt për pritësit. Po edicioni i 15-të?!  

Me besim…

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Grabitet me armë argjendaria në Paskuqan, dy autorët largohen me motor

Një argjendari në zonën e Paskuqanit është grabitur pasditen e sotme, ku dy persona të paidentifikuar kanë marrë...

Zjarri në Selenicë, flakët shkrumbojnë dhjetëra makina në një pikë grumbullimi automjetesh

Një zjarr i rënë rreth mesditës së së mërkurës në fshatin Penkovë, pjesë e Bashkisë së Selenicës, përfshiu...

Zjarri në Mallakastër/ Flakët rrezikojnë masivin pyjor të Lofkëndit! Avioni ‘Air Tractor’ bën testin e parë

Në operacion është angazhuar një avion zjarrfikës "Air Tractor" nga Spanja. Avionin e ka sjellë kompania me të...

Zgjerimi i mbikalimit të Rinasit, bllokohet autostrada Tiranë-Durrës; datat dhe oraret

ARRSH ka bërë të ditur se nga ora 00:00 deri në 04:30 do të kryhet vendosja e trarëve...