Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur sot në favor të ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi, duke konfirmuar se arrestimi i tij në vitin 2021 ishte i paligjshëm.


Avokati i tij, Dorian Matlija, bëri të ditur se Gjykata e Strasburgut konstatoi se argumentet e përdorura për arrestimin ishin të përgjithshme dhe të pambështetura në prova konkrete. Gjithashtu, vendimi nënvizon se nuk kishte rrezik arratisjeje dhe se zgjatja e paraburgimit ishte e pajustifikuar, pasi autoritetet nuk treguan kujdes të veçantë për ecurinë e hetimeve.
Gëllçi u arrestua nga SPAK në tetor 2021, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës lidhur me një tender. Ai qëndroi në paraburgim me vendim të GJKKO-së, që argumentoi se kishte dyshime të arsyeshme për përfshirjen e tij në veprime të paligjshme. Por, sipas Strasburgut, Shqipëria shkeli Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke e mbajtur në paraburgim pa prova të qarta.
Gjykata ka vendosur një shumë simbolike si dëmshpërblim moral për Gëllçin dhe ka ngarkuar shtetin shqiptar me kostot avokatore të procesit.
Avokati Matlija e cilësoi vendimin një fitore morale dhe kritikoi SPAK për “shfaqje televizive” përmes arrestimeve, duke shtuar se tashmë beteja për drejtësi do të vijojë në gjykatat vendase. Ai akuzoi gjithashtu Avokaturën e Shtetit, që është nën varësinë e Kryeministrit, për përpjekjet e saj për të mbrojtur ligjshmërinë e arrestimit të Gëllçit, ndërkohë që, sipas tij, sot qeveria shpreh shqetësime për standardet e arrestimeve.
©️zërionline


