7 Marsi, Mirënjohje dhe Reflektim për të ardhmen e arsimit  

Date:

Share post:

Sot, më 7 mars, Shqipëria feston Ditën e Mësuesit, një ditë e shënuar që kujton hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë në vitin 1887. Kjo ditë nuk është vetëm një përvjetor historik, por edhe një moment për të nderuar mësuesit, ata që ndriçojnë mendjet e brezave të rinj dhe mbjellin farën e dijes në çdo fëmijë.  

Një mësues nuk është thjesht dikush që jep mësim; ai është një mentor, një frymëzim dhe shpesh një prind i dytë për nxënësit e tij. Kujtimi i mësueses/it të parë mbetet i pashlyeshëm për secilin prej nesh. Ato që na mësuan si të shkruajmë shkronjat e para, si të lexojmë botën me kuriozitet dhe si të ëndërrojmë për një të ardhme më të mirë. Mësuesit janë gurë themeli të shoqërisë, sepse çdo profesion tjetër nis pikërisht nga duart e tyre. 

Por ndërsa festojmë dhe u shprehim mirënjohje mësuesve, nuk mund të mbyllim sytë ndaj realitetit, të vështirësive me të cilat ata përballen çdo ditë. Arsimi në Shqipëri ka ende sfida të mëdha, nga infrastruktura e dobët në disa shkolla deri te pagat që nuk reflektojnë rëndësinë e këtij profesioni. Ende, mësuesit shpesh punojnë në kushte të vështira, me mungesë laboratorësh dhe teknologjie, me klasa të mbingarkuara dhe një kurrikul dhe angazhim administrativ në ndryshim të vazhdueshëm.  

Përveç kushteve fizike, një tjetër problem i madh është vlerësimi i profesionit të mësuesit në shoqëri. Sot, të rinjtë rrallëherë e shohin mësuesinë si një karrierë të dëshirueshme, dhe kjo duhet të na shqetësojë. Nëse nuk investojmë në arsim dhe në ata që e bëjnë të mundur atë, por edhe vetë mësuesit nëse nuk investojnë tek rritja e autoritetit të tyre dhe ngrenë zërin për të ndryshuar realitetet që cenojnë arsimin,  si mund të presim një të ardhme më të ndritur për fëmijët tanë?  

Një ditë për të falënderuar, por edhe për të kërkuar më shumë 

Dita e Mësuesit është një ditë për të festuar, por edhe për të reflektuar. Është koha që të mos mjaftohemi vetëm me fjalë të bukura dhe dhurata simbolike ose të tepruara, por të kërkojmë zgjidhje konkrete për përmirësimin e sistemit arsimor. Rritja e pagave, përmirësimi i kushteve të punës dhe ofrimi i trajnimeve të vazhdueshme janë hapa të domosdoshëm për të siguruar një arsim cilësor.  

Në këtë 7 Mars, le të festojmë dhe të falënderojmë mësueset/it tanë për punën dhe përkushtimin e tyre, por njëkohësisht, le të angazhohemi si shoqëri për t’u dhënë atyre dinjitetin dhe mbështetjen që meritojnë. Arsimi është e ardhmja, dhe mësuesit janë ata që e ndërtojnë atë çdo ditë.  

Gëzuar Ditën e Mësuesve! Gëzuar për të shkuarën që na dha dije dhe për të ardhmen që duhet ta ndërtojmë më mirë!

Vali Qyrfyçi 

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Dyshimet/ 25-vjeçarja angleze u gjet pajetë në Durrës, pranë saj fëmija 2-vjeçar

Një 25-vjeçare, shtetase angleze, është gjetur pa shenja jete mesditën e kësaj të enjteje në një apartament në...

Mamurras/ Gjendet i dekompozuar trupi i një shtetasi francez

Një trup i pajetë, në gjendje të dekompozuar, është gjetur paraditen e sotme në vendin e quajtur “Përroi...

GJKKO pranon kërkesën, nëna dhe foshnja 3-muajshe dalin nga qelia

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Greta Gjocit për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, duke i dhënë...

Arrestohet në Rinas ukrainasi i kërkuar për trafik droge, njofton Ambasada e SHBA

Një shtetas ukrainas, i shpallur në kërkim nga autoritetet në Kiev për dyshime lidhur me trafikimin e lëndëve...