Fenomeni “Dash Sula” dhe kriza e përfaqësimit në opozitën shqiptare

Date:

Share post:

Rasti i deputetit Dashnor Sula, i cili hoqi dorë nga kandidimi nën siglën e Partisë Demokratike për t’iu bashkuar nismës “Shqipëria Bëhet”, është një simptomë e një fenomeni më të gjerë në politikën shqiptare: etja për pushtet individual dhe kriza e përfaqësimit në opozitë. Ky zhvillim nuk është një akt i izoluar, por fenomen zinxhir, pjesë e një tendence ku figura të njohura të opozitës, menjëherë pas publikimit të listave, braktisën partinë nënë për të kërkuar alternativa të reja, shpesh më shumë për mbijetesë politike sesa për vizion të qartë ideologjik apo ndryshim real.  

Nuk është koha për të shprehur zhgënjimin, apo për t’u distancuar, por për të treguar integritet dhe mbështetje. Nuk do të bëhen të gjithë deputetë.

Opozita e fragmentuar dhe mungesa e një alternative të fortë  

Partia Demokratike ka vite që përballet me ndasi të thella dhe mungesë kohezioni. Fenomeni “Dash Sula” nuk është thjesht një çështje personale, por një reflektim i kësaj krize më të gjerë. Deputetë dhe figura politike që ndihen të lëna jashtë nga strukturat e partisë dhe zona e sigurt  po kërkojnë mundësi të reja, shpesh duke u bashkuar me lëvizje të vogla që synojnë të kapitalizojnë mbi zhgënjimin e elektoratit. Ky fenomen, në vend që të ndihmojë në krijimin e një opozite të fortë dhe të bashkuar, e përçan më tej atë, duke e bërë më të dobët përballë qeverisë.  

Dashnor Sula justifikon largimin e tij duke e paraqitur veten si një figurë e papajtueshme me drejtimin aktual të PD-së. Madje thotë se nuk u përfshi në listë si SPAK-ist, por në thelb, kjo lëvizje është një tregues i etjes për mbijetesë politike lidhur me karrigen. Pretendimi i tij se nuk ishte zgjedhja e tij të largohej nga PD-ja bie ndesh me vendimin për t’iu bashkuar një nisme të re politike, e cila nuk ka ende një bazë të gjerë mbështetëse. Në këtë kontekst, dalja e tij nga PD-ja nuk mund të shihet si një sakrificë, por si një përpjekje për të ruajtur pozicionin e tij në skenën politike.  

Retorika e “ndryshimit” dhe realiteti politik 

Sula deklaron se “Shqipëria bëhet vetëm me djem të rinj”, por vetë ai është pjesë e klasës politike prej dy dekadash. Kjo retorikë e përdorimit të të rinjve si një simbol i ndryshimit është një strategji e zakonshme e politikanëve që duan të krijojnë një imazh të ri, ndonëse ata vetë janë produkte të sistemit të vjetër. Në realitet, fenomeni i ndryshimit të siglave politike pa një vizion të qartë për të ardhmen nuk sjell risi, por thjesht vazhdon ciklin e riciklimit të të njëjtave figura në forma të ndryshme.  

Në një kohë kur Shqipëria ka nevojë për një opozitë të organizuar dhe të vendosur përballë një pushteti të fortë ekzekutiv, fenomeni “Dash Sula” tregon të kundërtën. Një opozitë që vijon të fragmentohet, të dominohet nga interesa personale dhe të humbasë besimin e qytetarëve, duke i dhënë një mesazh të qartë dhe fashës gri të elektoratit.

Në fund të fundit, një opozitë që nuk arrin të unifikohet dhe të ofrojë një vizion të qartë për vendin, nuk mund të jetë një alternativë serioze për pushtet.  

Gjithsesi, zgjedhjet e 11 majit do të tregojnë nëse kjo qasje do të marrë mbështetje nga elektorati, por një gjë është e sigurt: opozita shqiptare ndodhet përballë një krize identitare, ku figurat e zhgënjyera, qejfmbetjet e mëdha e të deklaruara me pompozitet, nuk janë shkak, por pasojë e një sistemi politik që vijon të dominohet nga llogaritë personale dhe mungesa e një alternative të besueshme për ndryshim.

Vali Qyrfyçi 

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

SPAK jep pretencën për Evis Berberin

SPAK ka kërkuar 10 vite burg për ish kreun e ARRSH-së Evis Berberi për akuzat e shpërdorimit ë...

Një mësues humb jetën në rrugën e shkollës dhe harresës

Ai nuk ishte ushtar, por ra në krye të detyrës. Nuk kishte armë, por një çantë me ditarin...

Para pa deklaruar dhe pajisje të dyshimta, në pranga 49-vjeçari në dalje të Portit

Një 49-vjeçar nga Durrësi është arrestuar në flagrancë në Pikën e Kontrollit Kufitar të Portit të Durrësit, pasi...

Ndërtime pa leje në Himarë, Prokuroria e Vlorës dërgon në gjyq 7 persona

Prokuroria e Vlorës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq për shpërdorim detyre 4 ish-zyrtarët e IMT-së Himarë dhe 3 shtetas për...