Qindra besimtarë ortodoksë dhe qytetarë të Durrësit morën pjesë mbrëmjen e kësaj të premteje në ceremoninë e të Premtes së Madhe, një nga momentet më të rëndësishme para Pashkës. Ceremonia u zhvillua në Kishën Ortodokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti”.
Pas meshës dhe riteve liturgjike të zhvilluara brenda kishës, nisi procesioni i epitafit, simboli i varrit të Krishtit, i cili u mbajt me solemnitet nga besimtarët dhe klerikët, të shoqëruar nga Banda Frymore e qytetit.



Procesioni përshkoi rrugën kryesore të Durrësit, ndërsa besimtarët mbanin qirinj të ndezur dhe luteshin në heshtje. Besimtarët shkëmbyen mesazhe të paqes, besimit dhe shpresës.
E Premtja e Madhe, e quajtur ndryshe edhe e Premtja e Zezë, është dita kur Kisha përkujton vuajtjet, kryqëzimin dhe vdekjen e Jezu Krishtit. Ceremonia përgatit besimtarët për Pashkën, festën e Ringjalljes, që simbolizon fitoren e jetës mbi vdekjen.
©️zërionline


