Në Durrës, pranë zonës ikonike të Sfinksit, ka nisur një tjetër fazë punimesh për rikonstruksionin e shëtitores “Taulantia”, një ndër hapësirat publike më të frekuentuara nga qytetarët dhe turistët. Mjetet e rënda dhe punëtorët kanë nisur çmontimin e bankinave prej druri dhe ndërhyrjet përgatitore për zbatimin e projektit të ri të studios spanjolle të themeluar nga Ricardo Bofill.


Sipas kryeministrit Rama, projekti është konceptuar nga një prej studiove më të njohura të arkitekturës në Evropë dhe do të sjellë një hapësirë urbane shumë më tërheqëse duke rritur cilësinë e ofertës turistike në Durrës.
Projekti, i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim me një kosto rreth 3.6 milionë euro, parashikon ndërtimin e një dallgëthyesi dhe zëvendësimin e strukturave ekzistuese me struktura mbuluese betoni mbi dy metra të larta. Qëllimi i deklaruar është përmirësimi i pamjes vizuale dhe krijimi i një hapësire më funksionale e më moderne për qytetarët.
Por ndërsa vizioni arkitektonik duket ambicioz, ky investim ngre edhe pikëpyetje. Ky është investimi i tretë në shëtitore gjatë viteve të fundit. Ndërhyrjet e shpeshta kanë sjellë jo vetëm kosto të larta, por edhe trazime të vazhdueshme për banorët dhe bizneset përgjatë vijës bregdetare, që e shohin shëtitoren herë pas here të kthyer në kantier.

Për më tepër, mungesa e një vizioni afatgjatë dhe koherencës urbanistike mbetet një shqetësim. A do të jenë këto mbulesa betoni zgjidhje funksionale dhe estetike për një shëtitore detare në klimë mesdhetare? Apo thjesht një tjetër element “i importuar”, që mund të humbasë lidhjen me kontekstin lokal?
Zhvillimi i qytetit dhe përmirësimi i infrastrukturës publike janë të mirëpritura, veçanërisht në një Durrës që kërkon të konsolidojë statusin e vet si destinacion turistik gjithëvjetor. Por për të qenë të qëndrueshme dhe efektive, këto ndërhyrje duhet të planifikohen me transparencë, vizion dhe konsultim publik, gjë që shpesh mungon në vendimmarrjen e autoriteteve.
Ndërsa kantieri përparon, qytetarët presin jo vetëm një shëtitore më të bukur, por edhe përgjigje përse projektet e së shkuarës nuk ishin mjaftueshëm të qëndrueshme për të shmangur një rikonstruksion të ri.
©️zërionline


