Pjesëmarrja e qytetarëve në votime në Bashkinë e Shijakut paraqitet e ulët në orët e para të ditës. Nga 54 qendra votimi që ka kjo bashki, në disa prej tyre janë raportuar probleme teknike dhe pengesa në procesin e identifikimit të votuesve.
Në qendrën e votimit nr. 1391, në fshatin Koxhas, procesi ende nuk ka nisur për shkak të mosfunksionimit të pajisjes së identifikimit elektronik. Situata ka shkaktuar pritje për votuesit dhe ndërprerje të përkohshme të procesit.
Ndërkohë, në disa qendra të tjera në Shijak dhe në Maminas janë shënuar vështirësi me identifikimin biometrik. Pajisjet nuk kanë arritur të lexojnë shenjat e gishtërinjve të disa votuesve. Sipas komisioneve të qendrave të votimit, ky fenomen lidhet me punën e votuesve në bujqësi, ku kallot dhe dëmtimet e lëkurës ndikojnë në pamundësinë e identifikimit përmes pajisjes. Ndërkohë për votuesit kjo lidhet me problemet e pajisjeve të identifikimit elektronik.
Në të gjitha këto raste, komisionet kanë hartuar procesverbale për të dokumentuar situatat dhe kanë lejuar vijimin e procesit zgjedhor.
©️zërionline


