Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu natën e së mërkurës një garazh në katin përdhes të një pallati në lagjen Spitallë të Durrësit, pranë ish-zdrukthtarisë. Flakët u përhapën me shpejtësi, duke krijuar panik mes banorëve të zonës, të cilët u gjendën mes tymit dhe zhurmës së sirenave.
Në vendngjarje ndërhynë me urgjencë forca të shumta zjarrfikëse, të cilat arritën ta vinin zjarrin nën kontroll, duke shmangur përhapjen e flakëve në banesat e sipërme. Për të garantuar sigurinë, u vendos një perimetër sigurie dhe banorët e pallatit u evakuuan përkohësisht.

Zija Zeqiri, pronari i garazhit ku nisi zjarri, u shpreh se ai nuk e kishte përdorur ambientin prej rreth tre muajsh dhe e kishte të vështirë të shpjegonte se si mund të kishte shpërthyer zjarri. “Është e pashpjegueshme për mua. Nuk e kam hapur fare këtë vend prej muajsh, për shkak të arsyeve shëndetësore ”, u shpreh ai.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar. Shërbimi zjarrfikës dhe policia kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, ndërsa ekspertët pritet të analizojnë nëse bëhet fjalë për një shkëndijë elektrike apo ndonjë faktor tjetër.
©️zërionline


