Mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak të Durrësit është shoqëruar me debate mes shumicës dhe opozitës, kryesisht për çështje që lidhen me listat e përfituesve nga rindërtimi, subvencionet për transportin publik dhe rregullat për përdorimin e plazheve në sezonin veror 2025. Edhe pse vendimet u miratuan me shumicë votash, akuzat për mungesë transparence dhe dëm të arkës së bashkisë nuk munguan.
Me 27 vota pro, 9 kundër dhe 1 abstenim, Këshilli miratoi ndryshimet në vendimet për listat e përfituesve të banesave individuale nga procesi i rindërtimit. Por këto ndryshime hasën në kundërshtimin e këshilltarëve të opozitës, të cilët ngritën shqetësime për përjashtime të padrejta dhe mungesë transparence.

Këshilltari Dritan Burgija (PD) e cilësoi vendimin si selektiv dhe të pambështetur në dokumentacion të qartë.
“Qytetarët po përjashtohen nga e drejta e pronës”, tha ai, duke kërkuar më shumë qartësi dhe relacion të plotë për të justifikuar ndryshimet. Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që ndihen të përjashtuar, të drejtohen pranë Partisë Demokratike për të denoncuar rastet e tyre.
Debati u mbyll me një deklaratë të prerë nga Burgija: “Këtu do jemi për t’ju kërkuar sërish llogari.”
Nënkryetari i Bashkisë, Gentian Kallmi, sqaroi se shpërndarja e çelësave për banesat e reja do të përfundojë brenda muajit qershor dhe familjet që i kanë marrë më herët do të futen në banesa gjatë këtij muaji.
Këshilltarja Flutura Kasa ndërkaq i kujtoi këshilltarëve të opozitës se Këshilli nuk ka të drejtë ligjore të ndryshojë vendime të Këshillit të Ministrave (VKM).
Subvencionimi i transportit publik, Skepticizëm për efektivitetin
Procedura e shpërndarjes së subvencioneve për operatorët e transportit publik qytetas u miratua me 26 vota pro dhe 9 kundër. Edhe këtu, Ardian Muka ngriti dyshime mbi mënyrën e verifikimit të numrit të biletave dhe mungesën e përmirësimeve konkrete në cilësinë e shërbimit, ndërsa bashkia mbështet me fonde operatorët. Një fond prej 4 milion lekësh do t’u jepet si subvencionim 2 operatorëve për një vit duke e çuar vlerën reale të biletës në 50 lekë dhe pse udhëtarët nuk do e ndjejnë drejtpërdrejt ndryshimin e saj, pasi do të vazhdojnë të paguajnë 40 lekë.
“Shërbimi i transportit në Durrës është shumë më i dobët se në Tiranë, nuk respektohen oraret dhe kondicionerët nuk funksionojnë”, theksoi Muka, duke propozuar që fondet të investohen në mënyrë më të efektshme.
Në përgjigje, nënkryetari Kallmi tha se të dhënat janë zyrtare dhe të verifikueshme, por skepticizmi i opozitës mbeti i pandryshuar.
Menaxhimi i plazheve publike për 2025, Rregulla të reja, kritika të njohura
Harta e re e ndarjes së plazheve publike dhe private për sezonin 2025 u miratua me 35 vota pro. Megjithatë, vendimi u shoqërua me shqetësime për përjashtimin e bareve dhe restoranteve nga përdorimi i hapësirave bregdetare, duke ia lënë ekskluzivisht këtë të drejtë hoteleve.




Këshilltari Muka paralajmëroi për pasoja ekonomike që mund të sjellë ky kufizim, si dhe rritjen e mundësive për abuzim me hapësirat publike.
Këshilltari Renis Mullaj sqaroi se vendimi është në zbatim të akteve të qeverisë dhe se bashkia nuk përcakton përfituesit, por vetëm propozon subjektet sipas kritereve të miratuara.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Durrësit edhe këtë herë pati përplasje për tema që prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve. Ndërsa disa vendime kaluan me shumicë apo unanimitet, debati i hapur mbi transparencën dhe drejtësinë e proceseve, si dhe shfrytëzimin e brezit ranor do të vijojë të jetë në vëmendjen e opinionit publik.
















©️zërionline


