Shqipëria shpenzon më shumë se çdo vend tjetër në rajon për ndërtimin e rrugëve, por paradoksalisht, ofron infrastrukturën më të dobët në Ballkan. Kjo është panorama që paraqitet nga deklarata e organizatës “Qëndresa Qytetare”, e cila i referohet të dhënave të fundit të OECD-së mbi investimet dhe cilësinë e infrastrukturës rrugore në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas kësaj analize, Shqipëria ka një kosto mesatare prej 12.9 milionë euro për kilometër rrugë, duke u renditur si vendi me koston më të lartë për ndërtimin e rrugëve në rajon. Çdo vit, rreth 400 milionë euro derdhen në buxhetin e infrastrukturës rrugore, por pa një reflektim të qartë në terren sa i përket cilësisë, funksionalitetit dhe ndikimit të këtyre projekteve në zhvillimin ekonomik e social të vendit.
Organizata “Qëndresa Qytetare” e konsideron këtë disproporcion si një pasojë direkte të korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike. Ajo nënvizon se ndërkohë që vendet e tjera të rajonit arrijnë të ndërtojnë rrugë me kosto më të ulët dhe cilësi më të lartë, Shqipëria mban rekordin negativ për cilësinë e infrastrukturës, sipas renditjes së OECD-së.
Gjendja e transportit hekurudhor përmendet si alarmante. Ky sektor thuajse nuk funksionon më, duke lënë vendin pa një alternativë të rëndësishme lëvizjeje për qytetarët dhe mallrat. Po ashtu, rrugët rurale ndodhen në gjendje të degraduar, duke penguar lidhjet mes zonave dhe zhvillimin lokal.
Përkundër ambicieve të qeverisë për ta promovuar Shqipërinë si një destinacion europian turistik, mungesa e rrugëve të sigurta, transportit publik funksional dhe digjitalizimit e zbeh ndjeshëm përvojën e vizitorëve dhe pengon rritjen e sektorit të turizmit.
OECD paralajmëron se mungesa e lidhjeve të mira rrugore dhe hekurudhore dëmton integrimin ekonomik të vendit dhe i ul konkurrueshmërinë në raport me fqinjët që kanë investuar në mënyrë të mençur në infrastrukturë.
Ndërsa Shqipëria ka shpallur synimin për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian deri në vitin 2030, raporti i OECD-së është i prerë: pa një transformim të thellë në mënyrën sesi menaxhohen dhe kontrollohen investimet në infrastrukturë, vendi nuk ka gjasa të përmbushë objektivat europiane apo të arrijë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
“Kjo nuk është një çështje e mungesës së fondeve, por një pasqyrë e qartë e keqmenaxhimit dhe abuzimit me paratë e taksapaguesve shqiptarë”, thekson “Qëndresa Qytetare”.
Në fund të ditës, kur një vend shpenzon më shumë se të gjithë dhe mbetet i fundit në cilësi, pyetja nuk është “ku shkuan paratë?”, por “kush do të mbajë përgjegjësi?”.
©️zërionline


