Lea Bajrami, 15-vjeçarja nga Kosova që humbi jetën në sulmin tragjik në shkollën e saj do të prehet në Graz të Austrisë.
Më 16 qershor, të hënën, pritet të zhvillohet ceremonia mortore për Lea Bajramin, e cila humbi jetën tragjikisht më 10 qershor gjatë një sulmi me armë në një shkollë të mesme në Graz të Austrisë.

Ajo do të prehet në Graz, qytetin ku jetonte me familjen, ku mësonte dhe ku përfundoi jeta e saj e re në rrethana të dhimbshme. Njoftimi për varrimin është bërë publik nga familja, e cila ka shprehur hidhërimin e thellë për humbjen e vajzës së tyre, duke falënderuar të gjithë ata që kanë qenë pranë tyre në këto ditë zie.
Lea ishte një nga dhjetë viktimat e një sulmi të armatosur që tronditi Austrinë dhe komunitetin ndërkombëtar. Një 21-vjeçar, ish-nxënës i shkollës në Graz, hyri në godinë të martën e kaluar dhe hapi zjarr ndaj nxënësve dhe mësuesve. Mes viktimave ishin nëntë nxënës të moshës 14 deri në 17 vjeç dhe një mësuese.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në Austri dhe në Kosovë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e dënoi ashpër këtë akt të dhunshëm, duke e quajtur një tragjedi që ka lënë një plagë të thellë në zemrat e të gjithëve. Po ashtu, kryetari i Komunës së Vitisë, prej nga është me origjinë familja Bajrami, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe komunitetit, duke theksuar se vdekja e Leas është një humbje që ndjehet përtej kufijve.
Lea do të kujtohet si një vajzë e qetë dhe e dashur, që kishte gjithë jetën përpara. Ndërsa trupi i saj përcillet për në banesën e fundit, komuniteti shqiptar në Austri dhe qytetarë nga Kosova pritet të marrin pjesë në homazhet për të, në shenjë nderimi dhe solidariteti me familjen në zi.
Ngjarja tragjike ka ringjallur edhe një herë debatin për sigurinë në shkolla dhe kontrollin e armëve në Austri, ndërsa hetimet për motivet dhe rrethanat e sulmit po vazhdojnë nga autoritetet vendase.
©️zërionline


