Një epokë mbyllet në historinë e klubit të futbollit Teuta të Durrësit. Pas plot 26 vitesh në drejtimin e klubit durrsak, Edmond Hasanbelliu ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të klubit, duke shënuar një ndarje emocionale me ekipin që e ka drejtuar për më shumë se një çerek shekulli.
Në një mesazh të bërë publik sot nga vetë klubi, Hasanbelliu ka ndarë publikisht vendimin e tij, duke e cilësuar të vështirë, por të menduar gjatë. Ai shprehet se pas një periudhe të gjatë angazhimi dhe përkushtimi, ka vendosur të kërkojë mundësi të reja në jetën profesionale dhe personale.
“Me keqardhje, dua të njoftoj se kam dhënë dorëheqjen nga pozicioni i Presidentit. Pas një periudhe të gjatë angazhimi dhe përkushtimi, kam vendosur që të hap një kapitull të ri në jetën time…”, shkruan ndër të tjera Hasanbelliu në mesazhin e tij.
Ai thekson se ndjehet i vlerësuar për bashkëpunimin dhe mbështetjen që ka marrë ndër vite, si dhe për mundësinë që ka pasur të kontribuojë në zhvillimin e projekteve të klubit dhe të punojë me individë të jashtëzakonshëm.
“Edhe pse po largohem, kam besim që shoqata do të vazhdojë me të njëjtin entuziazëm dhe përkushtim në realizimin e qëllimeve të saj. Do të mbaj gjithmonë një lidhje të ngushtë me të gjithë dhe i uroj suksese të gjithëve në të ardhmen”, përfundon ai mesazhin.
Gjatë drejtimit të tij, Teuta ka njohur momente të rëndësishme suksesi, përfshirë edhe tituj kampioni dhe pjesëmarrje në arenën ndërkombëtare, pritet me interes të madh se kush do të jetë drejtuesi i ri që do të marrë frenat e Teutës.
©️zërionline


