Tregu i punës ka nevojë të lartë për punonjës të thjeshtë, por të rinjtë preferojnë degët elitare
Degët e mjekësisë dhe të inxhinierisë vijojnë të jenë ndër më të kërkuarat nga të rinjtë shqiptarë, ndërsa trendet e zgjedhjes së programeve të studimit mbeten të fokusuara në fushat që ofrojnë punësim dhe zhvillim të shpejtë profesional.
Sipas ekspertit të karrierës dhe punësimit, Erion Muça, orientimi i maturantëve në dekadën e fundit është përqendruar në tre drejtime kryesore: shkencat mjekësore, inxhinieritë dhe ekonomia.
“Tendenca e viteve të fundit tregon se maturantët shqiptarë zgjedhin me përparësi mjekësinë, ku përfshihen të gjitha degët e saj, si dhe inxhinieritë, kryesisht teknologjia e informacionit dhe komunikimit, por edhe inxhinieritë klasike dhe arkitektura, e cila po njeh një rritje të ndjeshme kërkese. Drejtimi i tretë lidhet me shkencat ekonomike, me fokus në menaxhim biznesi, marketing dhe financë-kontabilitet”, u shpreh Muça per median.

Sipas tij, arsyeja kryesore pse të rinjtë zgjedhin këto drejtime nuk lidhet vetëm me pagat konkurruese, por edhe me potencialin për zhvillim të shpejtë në karrierë.
“Për një pjesë të mirë të këtyre degëve, pagat fillestare janë të larta dhe punësimi vjen pothuaj menjëherë pas diplomimit. Por gjithashtu, këto profesione ofrojnë mundësi reale për avancim profesional dhe stabilitet ekonomik në afatgjatë”, thekson eksperti.
Ndërkohë, paradoksi i tregut të punës shqiptar qëndron në faktin se nevojat më të mëdha lidhen me punonjës të thjeshtë dhe jo gjithmonë me ekspertë të specializuar.
“Aktualisht, rreth 70% e kërkesave të tregut janë për punonjës me aftësi bazë dhe jo për të diplomuar në arsimin e lartë. Gjithsesi, ka një kërkesë në rritje për specialistë në fushat e ekonomisë, si menaxherë, financierë apo marketierë”, shton Muça.
Rënia e numrit të maturantëve, sfidë për të ardhmen
Një tjetër shqetësim që prek drejtpërdrejt tregun e punës është rënia e ndjeshme e numrit të maturantëve. Vetëm në vitin 2025, numri i tyre ra me 10% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo ulje e ndjeshme rrezikon të përkthehet në më pak studentë në universitetet shqiptare dhe si pasojë, më pak burime njerëzore të kualifikuara në vitet që vijnë.
Kjo dinamikë vë në dukje nevojën për politika të mirëfillta arsimore dhe punësimi që të balancojnë interesat e të rinjve me nevojat reale të tregut të punës në vend.


