Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu mbrëmjen e së enjtes kodrat përreth Ksamilit, duke shkaktuar panik në komunitet dhe një reagim të menjëhershëm nga strukturat e emergjencës. Përhapja e tyre ishte e shpejtë dhe e pakontrolluar për disa orë.
Ndërhyrja me mjete zjarrfikëse rezultoi e pamundur, për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore në zonën ku nisi zjarri. Për pasojë, u organizua një ndërhyrje në kushte të vështira me mjete rrethanore nga forcat zjarrfikëse, banorët e zonës, punonjës të policisë dhe administrata e Bashkisë Sarandë.
Pas një përpjekjeje intensive që zgjati për më shumë se tetë orë, rreth orës 03:30 të mëngjesit zjarri u vu përfundimisht nën kontroll. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet në sipërfaqet me bimësi janë të konsiderueshme.
Në terren ndodhen ende autoritetet lokale dhe forcat e emergjencës për të bërë vlerësimin e plotë të situatës dhe për të monitoruar zonën në rast të ndonjë rindezjeje.
Autoritetet vendore i bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar në kushtet e temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve, që shtojnë ndjeshëm rrezikun e zjarreve në zonat pyjore dhe kodrinore gjatë muajve të verës.
©️zërionline


