Video virale dhe realiteti që s’ duhet shmangur. Vdekja në plazh, mungesa e vrojtuesve dhe reflektimi ynë si shoqëri

Date:

Share post:

Nga Redaksia 

Një video e shpërndarë në rrjetin social Facebook është bërë virale sot, pamjet tregojnë trupin e mbuluar të një pushuesi që është nxjerrë pa jetë nga deti, ndërsa njerëzit rreth tij presin të mbërrijë autoambulanca. Trupi nuk shihet në video, ai është mbuluar, por megjithatë, për disa këto pamje janë konsideruar “të rënda”. E megjithatë, më e rënda nuk është videoja, por realiteti që ajo paraqet.

Ky nuk është një episod filmik, por një ngjarje e vërtetë, e ndodhur në mes të sezonit turistik, në një nga plazhet më të populluara të vendit. Për fat të keq, nuk është as hera e parë. Në mungesë të vrojtuesve të plazhit, një hallkë jetike e sigurisë që mungon ende në shumë segmente të vijës bregdetare, janë vetë pushuesit që ndërhyjnë. Herë për të shpëtuar jetën e dikujt, herë për të nxjerrë një trup të pajetë nga uji.

Reagimi ndaj kësaj videoje ka qenë i ndarë. Disa shprehen se pamje të tilla nuk duhet të publikohen, duke akuzuar portalin dhe cilësuar si “tronditëse” publikimin e planeve. 

Por në fakt, jeta është tronditëse. E kemi përjetuar vetë, të gjithë, secili në mënyrën e vet, ikje të papritura, dhimbje fjalëpakta, humbje të pazëvendësueshme. 

Ndaj ndonjëherë, më shumë se sa të shmangim një pamje që na shqetëson, duhet të guxojmë të shohim më thellë. Çfarë nuk po funksionon? Çfarë duhet të ndryshojmë?

Kjo video është një këmbanë alarmi. Nuk ka asgjë të pavend në shpërndarjen e një momenti të tillë, për sa kohë respektohet dinjiteti i të ndjerit dhe nuk shfrytëzohet për qëllime sensacionale. Ajo që duhet të na shqetësojë nuk është ekspozimi ndaj një situate të dhimbshme, por fakti që jemi bërë indiferentë ndaj shkaqeve që i nxisin këto ngjarje, masave që mungojnë. Le të shohim përtej pamjeve dhe të reagojmë për këtë realitet.

Në vend të vrojtuesve të trajnuar që monitorojnë detin, kemi pushues të thjeshtë që bëhen shpëtimtarë me vetëdijen e thjeshtë njerëzore për të ndihmuar. 

Në vend të reagimit të shpejtë dhe koordinimit institucional, mungesë të rojeve të plazhit, inspektimit të masave të sigurisë, pritje të gjata për autoambulancën, ndërsa koha shkon në disfavor të jetës.

Është koha të flasim më shumë për mungesën e strukturave të sigurisë në plazhe, për përgjegjësinë institucionale, për rolin që duhet të kenë bashkitë, qeveria, shërbimet mjekësore dhe çdo hallkë tjetër që mund të bëjë ndryshimin mes jetës dhe vdekjes.

Le të mos e shmangim realitetin duke ia mbyllur sytë. Sepse përballja me të është i vetmi hap drejt përmirësimit. Le të jetë kjo video jo thjesht një moment që qarkullon dhe harrohet në rrjete sociale, por një arsye më shumë për të kërkuar masa konkrete që shpëtojnë jetë.

Në fund të fundit, askush nuk shkon në plazh për të parë vdekjen. Por nëse ajo ndodh, të paktën le të jemi të përgatitur për ta parandaluar e nëse nuk mundemi të ndërhyhet për të shmangur qëndrime të gjata në ambiente publike si plazhi dhe nën diell.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Erion Veliaj transferohet në burgun e Fierit, 2 ditë pasi mbështeti protestat studentore në Serbi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në paraburgimin e Fierit. Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që...

Protesta e djeshme para Ministrisë së Arsimit, arrestohet 27-vjeçari dhe 49-vjeçarja

Dy protestues janë arrestuar nga Policia e Tiranës lidhur me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme përpara Ministrisë...

Fushë-Prezë/35-vjeçari me makinë përplas për vdekje këmbësorin 58-vjeçar

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Fushë-Prezë, Tiranë,...

Vrasja e biznesmenit në Sarandë, arrestohen në Greqi Lulzim Tabaku dhe Idriz Çelo

Dy persona të shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit 66-vjeçar Rexhep Ismaili, ngjarje e ndodhur më 7...