Pas shkarkimeve të drejtuesve bashkiakë dhe paralajmërimeve për pastrim të administratës vendore, Kryeministri Edi Rama ka dhënë një tjetër ultimatum, këtë herë për bizneset që kanë zaptuar hapësirat publike në zonën historike të qytetit.
Një ditë më parë, gjatë një vizite në lagjen turistike, Rama konsumoi një kafe në Muradie, por ajo që i ra në sy ishte mungesa e hapësirës për kalimtarët dhe zënia e trotuareve nga tavolina, karrige, frigoriferë dhe çadra të bizneseve.
Vetëm ky vëzhgim ka mjaftuar për të lëshuar urdhrin për lirimin e menjëhershëm të hapësirës publike. Sot, policia bashkiake ka zbarkuar në zonë për të nisur zbatimin e urdhrit. Bizneset janë njoftuar dhe do të vijojë heqja e çdo objekti që pengon lëvizjen e lirë në trotuare apo rrugica.
Mësohet se do të bëhen matje të sakta për të përcaktuar kufijtë që çdo biznes duhet të respektojë në përdorimin e hapësirës publike.


