Zgjedhjet në UAMD/ Prof.Dr. Osman Metalla: Fuqizojmë universitetin, Park Teknologjik,  Software antiplagjaturë në UAMD

Date:

Share post:

Sot, më 21 qershor, universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit (UAMD), ashtu si të gjithë institucionet e arsimit të lartë në vend do të zhvillojë zgjedhjet për rektor dhe organet e tjera drejtuese të tij. Katër kandidatë, të gjithë dekanë në katër prej fakulteteve të këtij universiteti, janë në garë për këtë post. Gara është e fortë, por edhe problematikat nuk mungojnë. Kandidatët deklarojnë se kanë platforma të mirëpërcaktuara për përballjen me sfidat dhe zhvillimin e këtij institucioni kaq të rëndësishëm. Për të trajtuar një sërë problematikash që e mundojnë prej vitesh këtë institucion të arsimit të lartë, iu drejtuam me pyetje katër kandidatëve në garë.

Prof. Dr. Osman Metalla, deri më sot dekan i Fakultetit të Studimeve Profesionale ka hyrë në garën për rektor me bindjen se do ta kthejë UAMD-në në një institucion të fuqishëm që të mbulojë nevojat për profesionistë në vend dhe pedagogë të gjithëvlerësuar për rolin e tyre në zhvillimin e brezit të ri dhe shoqërisë në tërësi. Për më tepër lexoni intervistën me të.

Degët e rrezikuara nga mungesa e interesit të të rinjve:

Cilat janë degët më të rrezikuara në UAMD për shkak të mungesës së interesit nga të rinjtë?

Ulja e numrit të maturantëve ka bërë që disa programe studimi të mos kenë studentë në një numër të kënaqshëm madje duke rrezikuar dhe hapjen e këtyre programeve. Kështu në Fakutetin e Studimeve Profesionale ka degë profesionale të cilat janë në vështirësi, për faktin se kërkesa për këto degë është e kufizuar. Mekanika detare është një nga këto degë. Edhe përse ka një interes të lartë nga tregu i punës, kërkesa për këtë degë nuk ka qenë në nivelin e kerkuar. Një program tjetër i cili ka nivel të ulët regjistrimesh ka qenë dhe programi i Impianteve Industriale dhe Buqësore. Njëkohësisht  dhe interesi në degët e shkencave filozofike të historisë, janë degë më numër të pakët studentësh. Përditësimi i kurikulave, promovimi më i mirë i këtyre programeve duke e lidhur me dhe prioritetet e zhvillimit të rajonit të Durrësit por dhe më gjerë sikurse janë turizmi dhe industria detare, logjistika dhe transporti, do të ndikojnë në kapërcimin e kësaj sfide.

Cilat janë politikat dhe strategjitë që parashikoni për të mbajtur gjallë këto degë? Si mendoni të përmirësoni tërheqjen ndaj degëve të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve, siç janë fushat e detarisë dhe turizmit?

Unë mendoj se qasja e universitetit nuk do të jetë mbajtja me çdo kusht e nje dege të caktuar, por reagimi dhe përgjigjia e shpejtë ndaj kërkesave të tregut. Nëse një degë nuk ka interes, mendoj se ky është një tregues që dëshmon se diçka nuk funksionon në këtë degë. Ose kurikulat duhen përditësuar pasi nuk i përgjigjen nevojave të tregut, ose duhet të hapet një program i ri i cili plotëson nevojën e tregut për një njohuri, aftësi të re. Zhvillimi i vrullshëm i disa sektorëve sikurse janë sektori i detarisë, domosdoshmërisht rrisin dhe kërkesën për aftësi (skills) të reja sikurse janë njohuritë lidhur me robotikën, automatizimin, përdorimin e inteligjencës artificiale etj. Në këtë këndvështrim, universiteti duhet të luaj rolin e tij në ofrimin e transferimit të njohurive dhe përgatitjes së studentëve me njohuritë e reja që kërkon tregu i punës. Njëkohësisht rritja e sektorit të turizmit apelon për rritjen e numrit të personave të kualifikuar për të shërbyer në këtë sektor, ndaj dhe qasja e universitetit duhet të jetë proaktive dhe reaguese në përgjigje të këtyre nevojave. Gjithësesi, është e nevojshme që të rritet numri i maturantëve që preferojnë Universitetin tonë, së pari në duhet të përmirësojmë ofertën tonë akademike duke reflektuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkesat e tregut, së dyti, duhet të rrisim cilësinë në mësimdhënie duke përfshirë këtu dhe përdorimin e teknologjisë, por dhe promovimi i duhur i degëve në të gjitha shkollat e mesme është një domosdoshmëri pasi dhe informaconi që maturantët kanë lidhur me specifikat që ofron universiteti është i kufizuar. Bashkëpunimi i universitetit me industrine dhe tregun e punës në tërësi është faktori vendimtar, pasi një marrëdhënie e shëndoshë e universitetit me tregun, rrit besueshmërinë e këtij të fundit ndaj universitetit dhe si pasojë dhe mundësitë e punësimit të studentëve pas përfundimit të ciklit të tudimeve janë mjaft të mëdha.

Një element tjetër i cili do të ndikojë në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve është dhe integrimi i sistemit të mikrokredencialeve të cilat janë praktika të reja që po implementohen në universitetet evropiane. Ndryshimet në teknologji kanë bërë që kohëzgjatja e njohurive, pra freskia dhe afati i aplikimit të tyre, të shkurtohet ndjeshëm krahasuar me një dekadë më parë. Në të kaluarën, për të fituar njohuri të reja duhej të kalonin shumë vite, madje mbi 15 vjet, ndërsa tani kjo kohë është ulur në deri 5 vite. Kjo zhvendosje radikale është bërë shkaku i përdorimit të teknologjisë së avancuar dhe shpejtësisë së zhvillimit të informacionit dhe njohurive.

Si rrjedhojë, kërkesa për programet e mësimit përgjatë gjithë jetës (LLL – lifelong learning) është në rritje të vazhdueshme. Për të përmbushur këtë nevojë, institucionet arsimore në Evropë po përqendrohen në rishikimin e programeve të tyre dhe po ndjekin një qasje të re drejt mikrokredencialeve. Kjo do të thotë që ata ofrojnë trajnime më të specializuara dhe më fleksibile, të përshtatura me nevojat aktuale të tregut të punës dhe kërkesat e individëve për njohuri të reja dhe të përdorshme. Lobimi në mënyrë aktive pranë Ministrisë së Arsimit si dhe Institucioneve të tjera, për të rregulluar dhe njohur zyrtarisht kreditet e ofruara për aftësitë përkatëse dhe çertifikimet për njohuritë e fituara nga programet kurseve LLL, do të përbënte një garanci në rritjen e ofertës akademike. Njëkohësisht futja në skemën e profesionave të rregulluara (dhe marrja e të drejtës së licencës për të ushtruar profesionin) për programet e larta profesionale 2-vjecare, do të rriste ndjeshëm dhe interesin për këto programe.

Rritja e cilësisë së arsimit universitar:

   – Cilat janë strategjitë tuaja për të rritur cilësinë e arsimit në UAMD?

UAMD duhet të vijojë udhëtimin e saj drejt ekselencës së stafit akademik, në fushën e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Qëllim parësor i padiskutueshëm, mbetet mbështetja e mëtejshme e stafit aktual akademik të UAMD dhe rekrutimi i stafit të ri në përputhje me kërkesat e njësive bazë dhe programet e ofruara nga këto njësi.

Njëkohësisht, do të synohet përfshirja e studiuesve të ftuar dhe specialistëve të spikatur të fushave të ndryshme, në përputhje me programet e njësive bazë. Përmirësimi i metodave të mësimdhënies duke nxitur mendimin kritik/krijues, dhe analizimin, përdorimin e teknologjisë dhe zhvillimin e projekteve.

Avancimi në gradat shkencore dhe titujt akademikë: Përkrahja për avancimin në gradat akademike më të larta, duke përfshirë promovimin e profesorëve dhe krijimin e mundësive për të marrë titujt e nevojshëm në respekt të plotësimit të kritereve ligjore për karrierën nëpërmjet krijimit të Komisionit të Promovimit të Personelit Akademik në UAMD.

Rritja e fleksibilitetit në mësimdhënie, përmes përdorimit të platformave digjitale në përputhje me rregulloren e përditësuar të institucionit. Për të rritur mundësitë për kërkim shkencor, Universiteti Aleksandër Moisiu Durrës (UAMD) synon të zgjerojë aksesin në bibliotekat digitale të universiteteve me të cilat ka marëveshje bashkëpunimi. Në të njëjtën kohë, planifikohet abonimi në revista shkencore të specializuara që ndihmojnë stafin akademik në fusha të caktuara të kërkimit shkencor.

   – Si do të siguroni që stafi akademik të jetë i kualifikuar dhe i përkushtuar për të ofruar arsim cilësor?

Trainimi i vazhdueshëm i stafit akademik lidhur me metodat e reja të mësimdhënies, si dhe përdorimin e teknologjisë dhe Ineligjencës Artificiale në procesin mësimor do të jetë një sfidë e vazhdueshmë. Universiteti do të jetë në avantguard të përdorimit të teknologjisë dhe pashmangshëmrisht avancimi i saj do të kërkojë dhe avancimin e vazhdueshëm të njohurive të stafit në mënyrë që të përcjellë siç duhet njohuritë tek studentët. Njëkohësisht dhe rekrutimi i stafit të ri do të shoqërohet me këshillim akademik, njohje me metodat e mësimdhënies në mënyrë që njohuritë profesionale ti përcjellë në mënyrën më të mirë tek studenti.

   – A keni plane për të përmirësuar infrastrukturën dhe burimet akademike?

Mendoj se infrastruktura akademike duhet te vazhdojë të përmirësohet. Sot jo të gjithë auditorët janë të pajisur me mjetet ndihmëse audiovizuale, si projektorë apo smartboard. Brenda gjysmës së parë të këtij mandate, të gjitha sallat do të jetë të paisura në mënyrë që stafi akademik ta ketë më të lehtë mësimbërjen duke përdorur dhe teknologjinë. Interneti do të jetë i aksesueshëm në të gjitha hapësirat publike të uniersitetit dhe në auditorë në mënyrë që të përdoret kur është i nevojshëm për qëllime të mësimdhënies.

Shpenzimet e universitetit:

   – Si do të adresoni shpenzimet që shpesh janë vlerësuar si të tepruara në universitet?

 Vendimmarrja për shpenzimet akademike bazohet në kërkesat e njësive bazë dhe atyre kryesore. Pasi përcaktohen në plan buxhetet e tyre, miratohet nga senati akademik buxheti i universitetit dhe më pas i kalohet Bordit të administrimit. Duke respektuar kërkesat që vijnë nga njësitë bazë dhe shërbimet e dmosdoshme të universitetit mendoj që do të kemi një mirëpërdorim të të ardhurave, për një efektivitet maksimal të tyre.

   – A parashikoni ndryshime në menaxhimin e buxhetit të universitetit për të përmirësuar efikasitetin financiar?

Natyrisht që në pozicionin e Rektorit do të mbështes çdo kërkesë të drejtë të Njësive bazë dhe atyre kryesore që ndikon direkt në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, kërkimit shkencor, përmirësimit të infrastrukturës akademike dhe mbështetjes së personelit akademik e studentëve.

Kërkimi shkencor dhe lufta ndaj plagjaturës në epokën e IA-së:

   – Cilat janë politikat tuaja për të përmirësuar kërkimin shkencor në UAMD?

Mendoj që kërkimi shkencor duhet të jetë më efikas, i orientuar edhe në drejtim të mbështetjes së objektivave strategjikë të zhvillimit të vendit, industrisë dhe ekonomisë së vëndit. Për të arritur këtë kërkohet një qasje më bashkëpunuese me specialistët dhe ekspertët e tregut të punës duke zhvilluar kërkime të përbashkëta të orientuara drejt nevojave të tregut dhe gjetjes së zgjidhjeve shkencore për nevojat apo sfidat e tregut. Rritja e kapaciteteve laboratorike, kombinimi i këtyre kapaciteteve me ato të industrisë si dhe bashkëpunimi me universitetet partnere për përdorimin e kapaciteteve të tyre kërkuese do të rriste ndjeshëm si sasinë ashtu dhe cilësinë e kërkimit shkencor. Ndërtimi i parkut teknologjik pranë UAMD ndihmon në promovimin e inovacionit dhe kërkimit shkencor duke ofruar një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e projekteve të reja dhe për bashkëpunim midis akademisë dhe industrisë.

   – Si do të luftoni plagjaturën, veçanërisht në epokën e inteligjencës artificiale? Apo mendoni integrimin e saj?

Instalimi i software-ve antiplagjiaturë në universitet dhe krijimi i aksesit për të gjithë akademikët, do të mundësonte që cdo punim, artikull, tezë diplome bachelor, master apo kërkim i avancuar shkencor për mbrojtjen e gradës shkencore “doktor i shkencave” si dhe çdo punim tjetër si nga stafi, por dhe nga studentët, duhet t’i nënshtrohet kontrollit antiplagjiaturë. Unë mendoj që kjo është mjaft e rëndësishme për rritjen e imazhit, etikës në kërkim, dhe nxitjen e kërkimit origjinal, çka do të përbënte shtysën kryesore drejt motivimit të kërkuesve të vërtete të amplifikojnë më tej punën e tyre kërkimore. Sa i përket përdorimit të inteligjenës artificiale, ajo tashmë është bërë fakt, dhe mendoj se zbatimi i praktikave më të mira të vendeve evropiane dhe inkuadrimi i këtyre standarteve dhe në rregulloret tona do të përbënte një garanci për një kërkim më objektiv dhe origjinal.

Konviktet e munguara:

   – Çfarë parashikoni për të zgjidhur problemin e mungesës së konvikteve në UAMD?

Mungesa e konvikteve përbën një disavantazh të UAMD që në një farë mënyre ashtu sikurse dhe mungesa e një linje transporti të rregullt me orare të përcaktuara dhe në të gjitha ditët e javës, kanë ndikuar dhe në numrin e regjistrimeve. Ndaj këto, edhe përse ceshtje të cilat më shumë varen nga pushteti vëndor dhe ai qëndror, nuk do të jenë jashtë vëmendjes së Rektorit. Bashkëpunimi i ngushtë me pushtetin vendor dhe atë qendror do të ndikonte në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata.

@zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Reagon Policia e Shtetit për gjetjet nga kontrolli në jahtin që qëlloi me armë në det

Policia e Shtetit ka reaguar pas alarmit të ngritur mbrëmjen e së dielës për të shtëna të dyshuara...

UEFA kërcënon FIFA-n me veprime ligjore, përplasje e re për planin e privatizimit të Kupës së Botës

Më herët UEFA përshëndeti tërheqjen e FIFA-s nga plani, duke thënë se është koha për reformimin e institucionit,...

Prej 6 ditësh në flakë, zjarri në Librazhd ende jashtë kontrollit

Një zjarr i përmasave të mëdha vijon të jetë aktiv prej gjashtë ditësh në zonën pyjore të fshatit...

Qëlluan me armë nga jahti dhe tentuan të largoheshin, 4 të ndaluar në Palasë

Sipas burimeve, janë ndaluar B. Çela, A.Kastrati, H. Noku dhe L.Haso, por ende nuk dihen rrethanat pse kanë...