Klubi i Teutës ka hyrë në një fazë të re ndryshimesh, duke prezantuar zyrtarisht Fatos Troplinin si presidentin e ri të klubit, Enkeleid Dobin në postin e trajnerit dhe Renato Arapin si drejtor sportiv. Largimi i Edmond Hasanbelliut nga drejtimi i klubit ka sjellë një strukturë të re në drejtimin e ekipit.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur këtë të hënë, Fatos Troplini mori zyrtarisht drejtimin e klubit si president. “Me përvojën dhe angazhimin e tij, z. Troplini synon të rikthejë lavdinë e dikurshme të klubit dhe ta udhëheqë Teutën drejt një faze të re suksesi”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.


Një rikthim i veçantë është ai i Enkeleid Dobit, i cili pas 28 vitesh kthehet në Durrës, këtë herë si trajner i parë i ekipit. I njohur për eksperiencën e tij në Poloni dhe si ish-trajner i Kukësit, Dobi do të ketë detyrën e vështirë të ndërtojë një ekip konkurrues, në bashkëpunim të ngushtë me drejtorin sportiv Renato Arapi, i cili gjithashtu është rikthyer në klubin që e njohu me futbollin profesionist.
Në deklaratën e tij, presidenti Troplini theksoi motivimin personal pas marrjes së drejtimit të Teutës:
“E mora ekipin nga pasioni. Synojmë të jemi mes ekipeve pretendentë dhe të rikthejmë tifozët në stadium.”

Nga ana tjetër, trajneri Dobi foli me emocion për rikthimin në qytetin e tij të lindjes dhe sfidën që ka përpara:
“Është privilegj dhe kënaqësi më e madhe sesa mund ta përshkruaj. Pritshmëritë janë të mëdha dhe puna që na pret është e rëndësishme. Nuk kemi shkop magjik, por me përkushtim do të përpiqemi ta kthejmë këtë projekt në realitet.”

Me këtë riorganizim të plotë në drejtim, Teuta duket se po hedh hapat e parë drejt një kapitulli të ri, me ambicie për të qenë sërish në elitën e futbollit shqiptar.
©️zërionline


