Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë në orët e para të mëngjesit një restorant në qendër të Thethit, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe pushuesve të shumtë që ndodheshin në zonë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 pas mesnate dhe flakët janë vënë re fillimisht nga familjarë dhe fqinjë, të cilët ndërhynë menjëherë për të shmangur përhapjen e zjarrit drejt bujtinës ngjitur.
Për shkak të intensitetit të flakëve dhe materialeve të përshkueshme në ambientet e lokalit, zjarri ka shkatërruar plotësisht strukturën e restorantit. Sipas dëshmitarëve dhe pronarëve, ndërhyrja e zjarrfikëses ka ardhur me vonesë, gjë që ka vështirësuar ndjeshëm kontrollin e situatës. Gjatë natës u krye evakuimi i dhjetëra turistëve që ishin të akomoduar në bujtinën ngjitur, për të shmangur rrezikun e përhapjes së zjarrit.

Në vendin e ngjarjes mbërritën forca policore dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit. Dyshimet për shkaqe elektrike paraprakisht janë hedhur poshtë pasi energjia elektrike nuk është ndërprerë gjatë gjithë natës, duke përjashtuar mundësinë e një shkëndije.
Aida Gjecaj, pronarja e restorantit të djegur, ka reaguar publikisht duke shprehur dyshimet e saj se mund të bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme.
“Nuk kam konflikte me askënd, por kjo ngjarje është shumë e dyshimtë dhe duhet të zbardhet. Ekspertiza thotë se nuk ka pasur shkëndijë elektrike dhe energjia nuk është ndërprerë. Dëmi që kemi pësuar është rreth 150 mijë euro”, – deklaron Gjecaj.
Ajo deklaron se është një prej zërave më aktivë në Theth kundër ndërtimeve pa kriter dhe betonizimit të zonës, dhe ka folur shpesh publikisht në mbrojtje të karakterit natyror dhe historik të fshatit. Bashkëshorti i saj është pjesë e sistemit të drejtësisë. Ky fakt e shton edhe më shumë shqetësimin për mundësinë e një prapavije të qëllimshme pas ngjarjes.
Hetimet po vijojnë.
©️zërionline


