Sot, kryeministri Edi Rama ka kërkuar, nga Durrësi, nga drejtuesit vendorë në të gjithë vendin, shkarkimin e të gjithë kryetarëve të njësive administrative, me afat deri të hënën. Ndërkohë, në Durrës, lëvizjet kanë nisur një ditë më parë. Në përputhje me orientimet e dhëna në takimin e zhvilluar tri ditë më parë në Bashkinë e Durrësit, dorëheqjen e kanë paraqitur administratorët e njësive administrative Ishëm, Sukth, Manëz, Katund i Ri dhe Rrashbull, përkatësisht Kadri Gjyli, Edlir Cerri, Muharrem Sula, Eltion Preni dhe Albert Bukaci. Po ashtu, janë larguar nga detyra edhe administratorët e 6 rajoneve të qytetit bregdetar, përkatësisht Roland Çobani, Ilir Ngresi, Myslym Hasanaj, Davide Ndoi, Jurgen Tabaku dhe Jetmir Pupla.
Dorëheqjet kanë përfshirë gjithashtu të gjithë drejtorët e Bashkisë Durrës dhe ata të drejtorive rajonale, të cilët do t’i nënshtrohen një procesi vlerësimi nga një komision i posaçëm. Ndër kandidaturat për drejtuesit e rinj pritet të jenë jo vetëm emra të rinj, por edhe disa prej drejtorëve aktualë që mund të rikthehen. Gjithashtu, burime nga Partia Socialiste bëjnë me dije se mund të përfshihen edhe kandidatë që nuk arritën të siguronin një mandat deputeti në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 11 majit.
Ky zhvillim duket se është një tjetër hap drejt një reforme më të gjerë në administratën vendore, me synim rritjen e performancës dhe përfshirjen e energjive të reja në drejtim dhe adresimin e problematikave të qytetarëve dhe veçanërisht në zonat rurale të territorit të bashkisë.
Sa do të jetë funksionale? Na duhet të presim e të shohim.
©️zërionline


