Policia e Durrësit ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike përgjatë bregdetit, në kuadër të operacionit të koduar “Plazhi i lirë”. Në fokus të këtij operacioni është garantimi i përdorimit të hapësirave publike nga pushuesit, si dhe ndëshkimi i çdo subjekti që ushtron aktivitet në mënyrë të paligjshme në zonat bregdetare.


Gjatë kontrolleve të fundit, të zhvilluara në plazhin e Currilave, në lagjen nr. 1 të qytetit bregdetar, janë konstatuar zënia të paligjshme të hapësirave publike nga disa shtetas, të cilët kishin vendosur pa leje çadra dhe shezlongë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës ndërhynë duke liruar këto hapësira dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 91 komplete çadra dhe shezlongë.
Në përfundim të veprimeve procedurale, janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për tre shtetas:
B. D., 33 vjeç,
D. V., 56 vjeç,
E. H., 34 vjeç, të tre banues në Durrës.
Policia e Durrësit thekson se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror në të gjitha zonat bregdetare, për të garantuar respektimin e ligjshmërisë, aksesin e lirë në plazhe për qytetarët dhe për të verifikuar ligjshmërinë e aktiviteteve që zhvillojnë subjektet përgjatë vijës bregdetare.
©️zërionline


