“Gjergj Kastrioti”, Zhbllokohen pusetat, por ujërat e zeza …

Date:

Share post:

Pas denoncimit të situatës, një javë më parë, për praninë e ujërave të zeza, një autobot i ujësjellës kanalizimeve të Durrësit është futur më 4 prill brenda kantierit të pezulluar të ndërtimit të gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në Durrës. Prej disa javësh, ujërat e zeza kanë mbuluar hapësirën e kthyer në një sit të rëndësishëm ku së shpejti pritet të nisin gërrmimet arkeologjike për zbulimin e plotë të mozaikut të rrallë dhe pjesëve të tjera të një vile luksoze antike së cilës ai i përket. Pasi kanë marrë miratimin e autoriteteve arkeologjike, shoqëria rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës ka kryer hapjen e pusetave të bllokuara nga dherat, por jo largimin e ujërave të zeza, prania e të cilave vazhdon të rrezikojë mozaikun e rrallë floreal dhe gjetjet e tjera arkeologjike të zbuluara gjatë kohës kur po hapeshin themelet për ndërtimin e gjimnazit të dëmtuar nga tërmeti. Ky veprim konsiderohet një hap i parë ndërkohë që në këtë kantier të pezulluar pune për t’i hapur vend gërrmimeve arkeologjike duhet të tërhiqen ujërat e ndotura që vazhdojnë të mbulojnë territorin ku do të gërrmohet. Ato janë jo vetëm një rrezik për mozaikun e rrallë, po dhe një vatër ndotjeje për banorët e zonës përreth gjimnazit. Për shkak të bllokimit të pusetave nga dherat dhe rrjetit të amortizuar, ujërat e zeza ndodhen mbi një nga mozaikët më të rrallë të zbuluar ndonjëherë në vendin tone. Mozaiku i punuar me gurë ngjyrë blu dhe bezhë u zbulua tetorin e kaluar në një thellësi prej 6 metrash, gjatë hapjes së themeleve për rindërtimin e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në Durrës. Sipas arkeologëve, ai i përket shekullit të I-II të erës sonë, ndërsa vetë siti përfshin edhe gjetje të periudhave më të hershme, që dëshmojnë dhe nivelin e lartë të jetesës në qytetin e lashtë në fillim të erës së re. Pas zbulimit, punimet për ndërtimin e shkollës u ndërprenë, në pritje të kryerjes së tenderit për gërmimet arkeologjike. Në nëntor të vitit të kaluar, Këshilli kombëtar i trashëgimisë kulturore materiale vendosi t’i hapë rrugë gërmimeve arkeologjike nga një subjekt privat i licencuar në arkeologji, gërmime që do të financohen nga Bashkia e Durrësit. Gërmimet pritet të nisin së shpejti pas fitimit të tenderit nga subjekti i licencuar për to, por prania e ujërave të zeza duhet të zgjidhet më parë në mënyrë që të nisë puna e kualifikuar për nxjerrjen në dritë të pjesës tjetër të mozaikut dhe gjetjeve të tjera në këtë sit të ri. Që pas pezullimit të punimeve për ndërtimin e gjimnazit, autoriteti kombëtar i trashëgimisë kulturore detyron subjektin privat fitues dhe bashkinë e Durrësit të marrin masa për konservimin paraprak të gjurmëve të mozaikut, ndërsa gërrmimet që do të kryejë subjekti i licencuar i arkeologut Luan Përzhita duhet të mbikqyren dhe nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Bashkia e Durrësit është investitor në këto gërmime që parashikohet të zgjasin 2 muaj me një fond prej afro 13 milionë lekë. Në përfundim të tyre do të vendoset dhe për fatin e ndërtimit të një prej gjimnazeve kryesorë të Durrësit, nxënësit dhe mësuesit e të cilit vazhdojnë të bëjnë mësim prej disa vitesh në turnin e dytë në një shkollë 9-vjeçare pritëse. @zërionline *Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.
spot_img

Artikuj të lidhur

Aksident në Lezhë, ‘Benzi’ del nga rruga dhe përmbyset pas përplasjes me disa objekte

Një aksident i frikshëm ka ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Manati, pranë lagjes Gurra në Lezhë. Sipas raportimve një automjet...

Durrësi nuk zbrazet nga turistët as në fund të tetorit, Muzeu i hapur rrit interesin për historinë

Edhe pse tetori po mbyllet, turistët vijojnë të jenë të shumtë në rrugët e Durrësit, duke shijuar qytetin,...

Erjon Vishkulli i plagosur në protestë: “Nuk jam vetëm”

Erjon Vishkulli, i riu që mbeti i plagosur në sy nga një plumb gome gjatë protestave në Tiranë,...

Pasivizimi i adresave në Luginën e Preshevës, shqetësim për të drejtat e shqiptarëve

Pasojat e pasivizimit të adresave në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc mbeten në fokusin e një hulumtimi të publicistit...