Pas paraqitjes dinjitoze në festivalin Folklorik të Gjirokastrës dhe në koncerte të Ansamblit Popullor, këtë maj Violeta Beshiri erdhi para publikut durrsak me koncertin e saj të parë recital “Sweet Sixteen”. Një dhuratë për veten dhe publikun me rastin e 16-vjetorit të lindjes që shënon një etapë të re në jetën e çdo vajze.
Fituese e shumë çmimeve në festivale të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, si dhe pjesëmarrëse në një nga edicionet e The Voice Kids, 16-vjeçarja solli para publikut një repertor të pasur artistik ku spikatën këngët popullore të Shqipërisë së Mesme, një traditë që ajo e çon përpara plot finesë dhe dinjitet.

Rrugëtimi i saj në muzikë nisi në klasën e katërt kur u njoh me mësuesen e muzikës në shkollë. Që atëherë ajo qëndron krah saj duke e nxitur dhe orientuar në rrugën e bukur të artit. Bota e muzikës dhe televizionit e tërhiqte Violetën që në fëmijërinë e hershme, por ngjitja në skenën e festivaleve për fëmijë dhe më pas në skena të tjera i dha sukseset e para që tani i ka kthyer në ambicie.
“Në repertorin tim ka lloje të ndryshme zhanresh, duke nisur që nga këngët për fëmijë, këngë popullore po ashtu, që besoj se janë arma ime e fortë që më ka ndihmuar shumë, gjithashtu kam dhe këngë moderne dhe operistike.”

Kompozitori i njohur durrsak Ylli Ramzoti shprehet se “jo vetëm zërin, por Violeta ka dhe një interpretim shumë të mirë, me nivel“. Ai vlerëson veçanërisht faktin që shumë të rinj të brezit të saj janë të apasionuar pas muzikës së huaj, po “mosha e saj të këndojë dhe të përthithë kaq mirë melodikën e këngëve të Shqipërisë së mesme është një gjë e rrallë”.
Edhe këngëtarja e mirënjohur Liljana Kondakçi shprehet pozitivisht për Violetën me të cilën pati një duet, që erdhi si një surprizë e bukur për artdashësit e shumtë në sallë.
“Violeta një vajzë e bukur me një zë të ëmbël, me një nisëm të jashtëzakonshme që nuk e kam ndeshur gjëkundi, as këtu, as jashtë vendit. Një 16-vjeçare të bëjë një recital madhështor me këngë botërore dhe muzikë popullore. I uroj suksese të mëtejshme. Jam pa fjalë.”, u shpreh Kondakçi.
Gjatë koncertit, moment i veçantë ishte dhe interpretimi instrumental së bashku me mësuesen e saj të muzikës Edmonda Rotani së cilës i është mirënjohëse për rrugëtimin e saj muzikor.
E ardhmja duket e sigurtë për 16-vjeçaren e cila i ka të qarta synimet e saj në vazhdim. Do të studiojë privatisht për muzikë që ta përpunojë më tej zërin dhe perfeksionojë prezantimet e saj para publikut, ndërsa me mbarimin e shkollës së mesme studimet e saj do të përqendrohen në një tjetër drejtim. “Aspiroj që të jem një këngëtare e madhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë, por dua të bëj edhe diçka tjetër që të ndjehem e plotësuar.”
©️zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


