Rritja e shkëmbimeve tregtare mes dy shteteve shqiptare në Ballkan do të vijojë dhe me ndarjen e përvojave dhe rritjen e bashkëpunimit në bujqësi. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u prit në një takim nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, me të cilin bisedoi për forcimin e bashkëpunimit në sektorin bujqësor mes dy vendeve.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp pas takimit, Denaj tha, se midis vendeve ka eksperienca për t’u ndarë.
“Këtë vit shkëmbimet tregtare janë rritur me 15% dhe dua të prioritizoj disa nga produktet që ende kanë hapsirë për t’u këmbyer më shumë, siç janë bimët aromatike dhe medicinale, për të cilat ne po marim edhe akreditimin më të fundit nga agjensia jonë ISUV”, shtoi Denaj.
“Kemi vajin e ullirit, që gjithashtu po njeh një transformim në Shqipëri dhe ku mund të marrim modelet më të mira që sot do të shohim sëbashku për të implementuar në një sistem që do të jetë efektiv.”
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Faton Peci tha, se gjatë takimit diskutuam për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural si dhe shkëmbimin e përvojave mes dy vendeve.
“Siguria ushqimore është pjesë e sigurisë kombëtare. Ne angazhohemi për rritjen e shkëmbimit tregtar dhe prodhimit midis dy vendeve tona”, tha Peci që theksoi se sektori i bujqësisë në tre vitet e fundit ka shënuar rritje dhe progres.
Peci u shpreh se “do të vizitojmë vreshtat e Rahovecit, dhe malet e Rugovës, për shkak se turizmi malor i Kosovës është ai që mund të jetë pjesa komplementare e turizmit që është me ngritje shumë domethënëse dhe në Republikën e Shqipërisë”.
©️zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


