Nuk jam një numër

Date:

Share post:

Në rradhën e radhës te Onkologjiku në QSUT, më në fund pranë derës. Një burrë i tharë, vetëm lëkura e rreshkët i mbulon eshtrat, moshë papërcaktuar e sy të humbur thellë në zgavra, nxiton drejt derës e ndalet aty. 

– Ku shkon?, i them.

– Te mjekja, thotë.

– Pse ne të tjerët ç’bëjmë? 

– Aman se qenke gjithë kjo goc, thotë. Kam gruan sëmurë.

– Ti paske gruan, unë jam vetë.

– Joo tallesh, thotë, dhe të mat me sy nga lart- poshtë.

Heshtja që pason dhe qëndrimi nën të njëjtën çati duket se e ftillon.

– Sa e ke rrogën, pyet.

– Pse, i them.

– Po s’pate rrogë të mirë vdes shpejt. Kjo këtu, dhe tregon me gisht atë që ndodhet përtej derës së mbyllur, pupupu sa lekë të merr. Të ngordh.

Hë pra, sa e ke rrogën?

– Shëndetësia është falas, i them. 

Sheh me dyshim dhe ia fut një të mbyllme syrit.

– E kam gruan keq. Shita lopën. Po vazhdoi kështu do shes dhe shtëpinë. Pse s’ma thua rrogën?

– Do t’më planifikosh mortin?

– Ç’është ky?

– Një shoku im.

– Ishallah ka lek. 

Lotët më rrëshqasin, pa mundur t’i mbaj. Njeriu, që u vendos mes meje e derës, s’ka emocion nga asgjë që thotë dhe jeton. E bija, një vajzë jo më shumë se 17 vjeç afrohet nxitimthi. I thotë të nxitojë se do t’u ikë autobuzi. Edhe sytë e saj janë të fikur, pa jetë. 

Në kufijtë e rraskapitjes luftojnë me paranë dhe shoqërinë që të përplas hidhur në fytyrë të vërteta që thjesht i ke dëgjuar, po nuk i beson. Të qenit human është përtej profesionit. Duhet të jetë së pari detyrim moral, jetësor. Por jo. 

Aty je vetëm një numër. Asgjë tjetër, veçse një numër në regjistrin manual dhe atë elektronik të të sëmurëve. Nis ta ndjesh këtë në çdo molekulë të ajrit që qarkullon e zhvendoset pafund nga trupa nën dhembje dhe bluza të bardha të zhurmshme. 

Rreth e rrotull, qenie njerëzore që lëvizin si kufoma të gjalla. 

Bashkëvuajtësi i radhës para derës më përmend.

– Hë se duket që je e re këtu, po do mësohesh. Edhe ti kështu si ne do përfundosh.

– S’kam lopë, i them.

Më sheh dhe s’ma var më. Ashtu si unë pret derën që të hapet.

Mjekja pas pak më fton të futem. Hyj. Edhe autobuzi im do të niset dikur, diku.

Plot mirësjellje, përzier me ca keqardhje, mjekja më lë të kuptoj që nuk kisha hyrë në derën e duhur. Rradhë, kohë e humbur. Më orienton të shkoj te një mjek tjetër, po më parë duhet të kaloj nga recepsioni.

Iki drejt tij, ku rradha vijon nga e para. Ngre zërin.

– Më falni, pse i sorrollasni njerëzit nëpër dyer plot rradhë të gjata? Jemi në punë.

Më sheh një prej grave të sportelit dhe nxiton të thotë:

– Çfarë?! Me diagnozën që ke dil në KEMP dhe ke kohë plot. 

Ndalem para derës së rradhës. 

Kohë tjetër në pritje. Biseda e vuajtje të tjera. Ka mes tyre gra të diagnostikuara dhe operuara gabimisht me kancer gjiri dhe të gjymtuara përjetë. Padrejtësisht janë kthyer në të paafta për punë. U kanë hequr një pjesë të jetës për disa gjendra qumështi kapriçoze dhe “alarmante”. Paguajnë pasojat e pamerituara. Pandëshkueshmëria në fron dhe viktimat e saj janë pajtuar me fatin e tyre. 

– Nuk i bihet murit me kokë, thotë një grua rreth të dyzetave.

Shoqëria paguan për to çdo muaj, pagesa invaliditeti, pasojë e gabimeve njerëzore apo të qëllimshme?! Paraja sërish i ngatërron gjërat.

Mjekë të tjerë, përvojë e re. 

Largohem për të mos u kthyer ndoshta më kurrë. Të paktën për ca kohë, derisa paratë të mos munden të mbulojnë shpenzimet e frikshme që sëmundja mbart.

Rradha vijon. Dorëzohem. Ngarkohem me barrën e çdokujt përreth. Nuk mundem më. Bëj një telefonatë për të mbaruar më shpejt.

Largohem nga aty me një lloj kënaqësie për dy vitet jetë që më dhanë, pas ecejakeve dhe pritjeve nëpër rradha. Largohem dhe marr me vete një grimëz kënaqësi, kënaqësinë e dhuruar nga lotët e dy mjekëve të njohur dhe infermieres me sy bojëqielli. 

Njëri prej mjekëve kirurg qe arrestuar kohë më parë bujshëm për mitmarrje, por u kthye shpejt në punë. Nuk e di, po përtej përshtypjes së krijuar në distancë për të, ato pak fjalë shkëmbyer dhe sytë plot lot më mjaftuan ta shoh ndryshe. 

Një njeri me shpirt. Të tre ata. Nuk isha më një Numër.

V. Qyrfyçi

©️zërionline

*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.

spot_img

Artikuj të lidhur

Arrestohet në Francë Ermal Beqiraj i dosjes AKSHI

Autoritetet franceze kanë arrestuar Ermal Beqiraj i shpallur në kërkim nga SPAK, për aferat me AKSHI, konfirmon policia...

“Vrasësi i heshtur”! Në Shqipëri 3500 persona marrin mjekim për Hepatit B, vaksina e eliminoi te fëmijët

Në Shqipëri, 3500 persona marrin mjekim për hepatitin B, i shkaktuar nga një virus që dëmton mëlçinë. Me...

Aksident në Korçë, makina përplas nënën me fëmijën në karrocë teksa kalonte rrugën

Një aksident është regjistruar mesditën e kësaj të marte në lagjen nr. 10 të qytetit të Korçës, në...

Skemë mashtrimi për t’iu vjedhur llogaritë në WhatsApp, Policia apel qytetarëve: Kujdes, mos klikoni linke të dyshimta

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj tentativave për marrjen e aksesit në...