Shkodër – Ndërhyrja e shpejtë e policisë ka parandaluar një tragjedi të mundshme. Një grua 27-vjeçare, së bashku me katër fëmijët e saj të moshave 1 deri në 7 vjeç, është shpëtuar në çastin që po tentonte të hidhej në lumin Buna.
Incidenti ndodhi rreth orës 14:15, kur policia mori një njoftim se një grua po përpiqej të hidhej në lumë me fëmijët e saj. Falë ndërhyrjes së shpejtë të patrullës që patrullonte në zonë, gruaja u pengua në kohë, duke parandaluar kështu një ngjarje të rëndë.
27-vjeçarja dhe fëmijët e saj janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, ku po marrin ndihmën e nevojshme.
Grupi hetimor është duke punuar për sqarimin e plotë të rrethanave që çuan në këtë tentativë të rëndë.
@zërionline


