Në qytetin e Durrësit ka hapur dyert shtëpia-ekspozitë “Turistë të Përgjuar”, e cila përmes arredimit, dokumenteve dhe botimeve të kohës, rrëfen historinë e pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe vizitorët e huaj që u lejuan ta vizitojnë atë.

Shumë shpejt ajo pritet të kthehet në një atraksion turistik që i kishte munguar Durrësit, qytetit me muze të mbyllur, në rikonstruksion.
Nisma për çeljen e shtëpisë-ekspozitë, si një mundësi që do t’u ofrohet turistëve, u ideua dhe realizua nga pedagoget dhe ekspertet e turizmit Brunilda Liçaj dhe Arjana Isaku, të cilat kanë transformuar shtëpinë e vjetër të familjes Mima në një nga rrugicat e Durrësit në një dëshmi të gjallë të asaj kohe. Plotësisht e rrënuar shtëpia është kthyer në një minimuze të një periudhe historike që kuriozon vazhdimisht turistët dhe të rinjtë, por jo vetëm ata.
Ekspozita sjell në vëmendje copëza të jetës dhe survejimit shqiptar gjatë regjimit totalitar komunist, i cili përpiqej të mbante nën kontroll edhe turistët e huaj. Brunilda Liçaj shpjegon se një pjesë e tyristëve përgjohej, jo të gjithë, por çdokush kalonte në filtrin e autoriteteve. Pasi vinin këmbën në tokën e shqiponjave, gjithçka niste me një ndalesë te berberi në aeroport. Në shtëpinë e vogël është ekspozuar dhe një set veglash berberi që përdorej për të pastruar flokët e fytyrën e turistëve që mund të dukeshin ekstravagantë. E njëjta gjë me veshjet. Detaje këto që tregojnë përmasat e kontrollit të ushtruar.
Kurioziteti i turistëve dhe Kontrolli i Partisë-Shtet
Turistët e huaj ishin kureshtarë, duke dashur të zbulonin dhe kuptonin më shumë nga vendi më i izoluar i Evropës, që gjithçka e realizonte me forcat e veta ndonëse varfëria ishte e dukshme. Ata përballeshin me lëvizje dhe informacion të kontrolluar nga partia-shtet.
Çimkat përgjuese, taketuket me mbishkrimin “Albturist”, harta e hoteleve për turistët dhe e objekteve industriale që mund të vizitoheshin prej tyre dhe shumë objekte të tjera qëndrojnë si dëshmi të një epoke që ende i ka lënë pasojat e saj në jetën e gjithkujt pavarësisht dekadave të kaluara.
Një nga elementet më domethënëse të kësaj ekspozite është dhe vendstrehimi nëntokësor, një dëshmi autentike e asaj kohe. Me rënien e sirenës së alarmit, vizitorët nxitojnë të improvizojnë futjen në vendstrehim, duke përjetuar një fragment të së kaluarës së errët të vendit.
Arjana Isaku thekson rëndësinë e kësaj ekspozite si një mundësi për vizitorët e huaj dhe vendas që të njohin dhe të reflektojnë mbi këtë periudhë të vështirë dhe të errët të historisë shqiptare. Ekspozita “Turistë të Përgjuar” do të jetë e hapur gjatë sezonit dhe më tej për të gjithë turistët e huaj dhe vendas, duke ofruar një dritare të çmuar informative për këtë periudhë të veçantë të historisë së Shqipërisë.
@zërionline


