Temperaturat e larta të korrikut i kanë mbushur plot plazhet e Durrësit përgjatë gjithë vijës bregdetare këtë fundjavë. Pushues vendas e të huaj kanë nxituar të freskohen në ujërat e Adriatikut dhe të shijojnë gjithçka që ofron bregdeti shqiptar.

Për pushuesit nga Kosova, Durrësi mbetet destinacion i preferuar dhe pse këtë sezon janë më të pakët pasi po shijojnë dhe lëvizjen e lirë në zonën shengen.
Nga Norvegjia, Gjermania, Italia, Anglia, Pakistani, Maqedonia e Veriut, Spanja etj. Nga çdo vend. Vetëm grekët duket se mungojnë.
Rastësisht takojmë një grup turistësh italianë që të përfshijnë në entuziazmin, harenë me të cilën lëvizin në plazh.
“Është hera e parë që vijmë këtu. Shkuam drejt e në Tiranë dhe pastaj erdhëm në këtë bregdet fantastik që na e këshilluan. Shumë i bukur”, shprehet njëri prej tyre.
Ndërkaq dhe një i mitur italian që ka mbërritur me familjen në Durrës, për herë të parë, ndjehet shumë i kënaqur për këto pushime shqiptare:
“Ciao. Jam Francesco dhe ndjehem shumë mirë këtu në Shqipëri. Një vend mikpritës, i nxehtë, si të gjitha vendet tani, po shumë i bukur.”
Pushuesit nga vendi, Kosova dhe të huaj vlerësojnë komoditetin dhe çmimet e mira që ofron Durrësi, i cili gjithnjë di të mikpresë vizitorët e vet në çdo stinë.
“Durrësi shumë mirë na duket. Si gjithmonë. Jemi nga Prishtina.
– Po çmimet?
– Çmimet janë jashtëzakonisht të mira. Të përballueshme. Shumë të mira. Vijmë shpesh.”
Një pushuese nga Durrësi thotë se krahasuar me jugun, Durrësi ofron shërbim më të mirë dhe më të lirë.
“Unë mendoj se janë të mira çmimet. Pak ngritje ka. Shkuam në Sarandë, po kishte shumë ndryshim. Durrësi është shumë më mirë.”
“Kam pak ditë këtu. Çmimet janë pak më lirë në Poloni, por është zonë turistike. Është OK.” Kështu komenton një i ri polak që së bashku me të fejuarën ka zgjedhur Durrësin për të kaluar pushimet verore 10-ditore.
“Çmimet shumë të pranueshme. Të mira dhe plazhet e bukura dhe të pajisura mirë. Gjithçka shumë mirë. Një përshëndetje të gjithë shqiptarëve”, shprehet një tjetër turist italian.
Ky sezon veror ka sjellë flukse të reja turistike, duke e zgjeruar ndjeshëm hartën e turistëve që pushojnë në brigjet e Adriatikut. Njësitë e shumta akomoduese përgjatë bregdetit dhe në qytetin e Durrësit vazhdojnë të presin pushues të shumtë dhe kanë rezervime deri në tetor.
@zërionline


