Pas një hetimi proaktiv, një ditë më parë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e rajonit Durrës-Kavajë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), arrestoi në flagrancë kryekomisarin Gazmir Preçi, i cili mbante detyrën e shefit të sektorit kundër trafiqeve dhe narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Durrësit.
Arrestimi i Preçit vjen pas dyshimeve të forta për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv, por ky nuk është incidenti i parë ku ai përballet me akuza të rënda. Në vitin 2021, gjatë detyrës në Fier, Preçi u arrestua për shpërdorim detyre dhe për kultivim bimësh narkotike. Megjithatë, çështja u mbyll pa pasoja të mëtejshme për të dhe vetëm një vit më pas, në 2022, ai u promovua dhe emërua në detyrën e re si shef sektori në Durrës.
Së fundmi, pas marrjes së gradës së Kryekomisarit, Gazmir Preçi priste të promovohej sërish, por në vend të kësaj, përfundoi në pranga. Akuzat për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv e kanë vënë atë në qendër të një hetimi të gjerë, i cili pritet të zbardhë jo vetëm këtë rast, por edhe mënyrën se si ai arriti të mbyllë çështjen e mëparshme dhe të ngjitet në hierarkinë e policisë pavarësisht akuzave të rënda.
SPAK, nga ana e tij, pritet të hetojë thellë mbi këto zhvillime dhe të zbulojë se si një oficer policie me një të kaluar të tillë mundi të përparojë në karrierë pa u ndëshkuar për akuzat që rëndonin mbi të.
@zërionline


