Pesë vite në pritje, Gjimnazi i Durrësit midis arkeologjisë dhe arsimit. Reagon Myshketa

Date:

Share post:

Me përfundimin e verës afrohet fillimi i vitit shkollor, po dhe problematikat e tij.

Në një postim në rrjetet sociale, Joni Myshketa, anëtar i Këshillit Bashkiak Durrës, ka reaguar lidhur me situatën e një prej shkollave të mesme të qytetit, konkretisht gjimnazit të njohur “Gjergj Kastrioti”. Postimi është shoqëruar me një foto nga gjetjet arkeologjike në sheshin ku nisën gërmimet për rindërtimin e kësaj shkolle, e cila për vite me radhë ka shërbyer si një vatër e rëndësishme dijesh për të rinjtë durrsakë.

Sipas Myshketës, ky vit shënon hyrjen në vitin e pestë pas tërmetit të vitit 2019, një ngjarje që la pasoja të thella për qytetin e Durrësit dhe qytetarët e tij. Ndërkohë që pasojat e kësaj fatkeqësie vazhdojnë të ndihen, Myshketa kritikon keqmenaxhimin, papërgjegjshmërinë dhe korrupsionin që ka kapluar institucionet, duke e bërë të qartë frymën kolektive të qeverisë. Ai thekson se një nga gjimnazet më të rëndësishme të qytetit ka pesë vite që ka mbyllur dyert. Nxënësit janë detyruar, ashtu si dhe për të tjera shkolla të dëmtuara nga tërmeti, të marrin mësimet në shkollat 9-vjeçare, në turnin e pasdites, të cilat nuk i plotësojnë kushtet akademike dhe sportive, duke çuar në një mësim të cunguar dhe me orare jo të plota.

Pas pesë vitesh, nxënësit e shkollës “Gjergj Kastrioti” vazhdojnë të mbeten pa një zgjidhje të qartë për të ardhmen e tyre shkollore. Sipas Myshketës, kjo situatë do të ketë pasoja negative për rritjen dhe arsimimin e qytetarëve të rinj, duke u kthyer në një “boomerang” për të gjithë shoqërinë.

Në anën tjetër, Myshketa vlerëson gjetjen e mozaikut arkeologjik në terrenin ku po kryheshin punimet. Ai e cilëson këtë zbulim si një dëshmi të rëndësishme të pasurisë së nëntokës së Durrësit, që duhet të nxirret në pah, të ruhet dhe të reklamohet si një avantazh për qytetin dhe për turistët vendas dhe të huaj.

Punimet për rindërtimin e shkollës janë ndërprerë për shkak të këtij zbulimi, ndërsa Bashkia e Durrësit ka akorduar një fond prej afërsisht 13 milionë lekësh për zbulimin e plotë të sitit arkeologjik. Myshketa e mbështet këtë nismë, po shpreh shqetësimin se nuk duhet të përsëriten gabimet e së kaluarës, ku pasuri të tilla janë shkatërruar apo mbuluar me beton, si rasti i Velierës. Ai thekson se gjetja, ruajtja dhe mirëmbajtja e nëntokës së Durrësit është një detyrim i bashkisë dhe ministrisë përkatëse.

Ndërkaq ai i bën thirrje Bashkisë së Durrësit që të marrë masa të menjëhershme për të gjetur një vend të përshtatshëm për ndërtimin e shkollës së re dhe për të mos e shtyrë më tej zgjidhjen e kësaj situate. 

Me fillimin e vitit të ri shkollor në prag, mijëra nxënës presin të ulen në bankat e shkollës dhe të vijojnë arsimimin e tyre në institucionet e dijes, që janë themeli i çdo shteti.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Greqi/ 3 të rinj nga Fieri humbin jetën në një aksident tragjik

Tre të rinj nga Fieri kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur në një...

Renditja e Eurostat/Shqipëria e dyta në Europë për vështirësitë ekonomike

“Duke menduar për të ardhurat totale të familjes suaj, a është familja në gjendje të mbyllë muajin, pra...

Sherr mes të rinjve në Sarandë, 3 të plagosur me thika! Arrestohen 3 autorët e dyshuar

Janë publikuar pamjet nga konflikti i ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 1 të Sarandës, pranë hyrjes...

Pas plagosjes së avokatit në Durrës, Dhoma e Avokatisë do të bojkotojë nesër gjykatën për dy orë

Pas plagosjes së avokatit Elton Shllaku, Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës ka vendosur të bojkotojë për dy orë...