Një biznesmene italiane “vendosi” drejtësi duke i marrë jetën hajdutit që i vodhi çantën e saj nga dritarja e hapur e makinës. Pamjet e rënda të regjistruara nga kamerat e sigurisë në Viareggio kanë fiksuar gruan që përplas pa mëshirë hajdutin e çantës së saj dhe jo vetëm njëherë. Nga pamjet duket se ajo është kujdesur ta godasë disa herë me makinën e saj. Biznesmenia Cinzia Del Pino, 65 vjeçe duket se “mori pushtetin e ligjit në duart e saj” kur goditi me makinë marokenin e identifikuar si Nourdine Naziki, 52 vjeç, që sapo i kishte vjedhur çantën në makinë, shkruan rrjeti Daily Mail.

Del Pino, e njohur në qytetin bregdetar të Viareggio, u identifikua nga targa e makinës së saj tip fuoristradë Mercedes Benz dhe u arrestua nga policia disa orë më vonë. Në pamjet shokuese të publikuara në mediat vendase, Naziki shihet që kalon para një dyqani para të shfaqet makina e Del Pino që e përplas. Makina më pas bën prapa dhe e shtyp sërish. Pastaj Del Pino zbret prej saj me taka të larta, merr çantën e vet nga i aksidentuari dhe më pas largohet. Ambulanca që erdhi në vendngjarje dërgoi Naziki në spital, por ai vdiq disa orë më vonë. Ajo pohoi në polici se donte vetëm të merrte çantën e saj pasi kishte çelësat e shtëpisë dhe dokumentet personale, ndërsa iu dha masa e arrestit shtëpiak.
“Ai kërcënoi të më vriste me thikë. Isha e tmerruar. Doja vetëm të merrja gjërat e mia”.
Oficerët thanë se nuk kishin gjetur asnjë thikë pranë Nazikit, ndërsa avokati i gruas Enrico Marzaduri refuzoi se ajo e kishte goditur qëllimisht hajdutin.
“Në trupin e viktimës nuk kishte shenja rrotash, ajo donte vetëm ta ndalonte”.
Zv. kryeministri italian Matteo Salvini mbronte gruan në një postim në Facebook:
“Kjo dramë erdhi si pasojë e një krimi. Nëse burri që humbi jetën nuk do të kishte qenë një kriminel, kjo nuk do të kishte ndodhur”.
Po nga ana tjetër, familjarët e Nazikit në një intervistë me televizionet në Marok kërkojnë drejtësi.
“As kafsha nuk vritet në këtë mënyrë si u vra vëllai ynë. Kërkojmë që gruaja të dërgohet serish në burg”.
“Ai ishte një burrë i mire dhe ne kërkojmë drejtësi. Ata që e njohim mund t’ua thonë këtë. Ajo e shkeli disa herë me makinë dhe më pas u largua pa njoftuar as mjekët”.
Policia tha se po vijon hetimin e ngjarjes.
©️zërionline


