Gjykimi i çështjeve civile në Shkozet/ Sfidat për qytetarët dhe pritshmëritë për përmirësim të administrimit gjyqësor. Ja gjyqtarët e penaleve dhe civileve në Durrës

Date:

Share post:

Vali Qyrfyçi

Që nga dita e sotme, çështjet civile në Durrës do të gjykohen në ish-godinën e Apelit në Shkozet, një vendim që ka sjellë sfida dhe shqetësime të reja për qytetarët e përfshirë në proceset gjyqësore. Pavarësisht kostos fillestare për publikun, gjykata e vlerëson këtë lëvizje si një hap drejt përmirësimit të administrimit të drejtësisë, përmes ndarjes së çështjeve penale dhe civile dhe shtimit të radhëve me gjyqtarë të rinj. Sipas autoriteteve, kjo reformë do të sjellë një ulje të ngarkesës dhe përmirësim të efikasitetit, por në këtë fazë fillestare, janë qytetarët ata që do të vuajnë pasojat.

Qytetarët që prisnin të merrnin pjesë në seancat gjyqësore të planifikuara dy muaj më parë për datën 30 shtator kanë raportuar shtyrje të proceseve për data ende të pacaktuara.

Ndërkohë dhe qytetarë të tjerë kanë raportuar se gjatë këtij muaji, po dhe më parë angazhimet e gjyqtarëve të Durrësit në KLGj kanë shkaktuar shtyrje të paktën 1-mujore të seancave në dëm të qytetarëve dhe të së ashtuquajturës ekonomi gjyqësore, një term që thjesht përdoret po nuk zbatohet nga gjyqtarët në Durrës, ndërsa gjyqet zvarriten duke shtuar kostot për qytetarët.

Ky është një tregues i qartë se, edhe pse përmirësimet priten në të ardhmen, fillimi i procesit të ri ka sjellë konfuzion dhe vonesa për ata që kërkojnë drejtësi. Ndërkaq pritet të rishortohen çështjet gjyqësore që nuk kanë filluar apo sa kanë filluar duke u bazuar në ndarjen e re të gjyqtarëve në dhoma gjykimi.

Riorganizimi i trupës gjyqësore në Durrës

Kjo lëvizje vjeshtore vjen si pjesë e një ndarjeje të mirëplanifikuar të gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës. Ndarja e gjyqtarëve në dhoma, seksione dhe trupa gjykuese synon të përmirësojë funksionimin e gjykatës, e cila ka përballuar një ngarkesë të rëndë, duke gjykuar një numër të madh çështjesh penale dhe civile në një hapësirë të kufizuar ku pirgjet me dosje voluminoze pushtonin zyrat e gjyqtarëve, ndërsa sallat e gjykimit janë të pamjaftueshme.

Në krye të Dhomës Penale të gjykatës së Durrësit do të jetë zv.kryetari i gjykatës, Paulin Çera, i cili njëkohësisht mban dhe pozicionin e drejtuesit të gjykatës në mungesë të kryetarit. Ai do të shoqërohet nga gjyqtarja Besjana Garxenaj dhe gjyqtarët Sokol Mara, Rexhep Bekteshi, Arbër Çela, Alban Velçani, Suela Xhani dhe Xhevdet Lika.

Këta gjyqtarë do të duhet të zhvendosen drejt ish-godinës së Apelit në Shkozet për të kryer gjyqet civile që kanë në proces, po ndërkohë nuk dihet si do të zgjidhet kjo pasi në trafik lëvizja mes dy godinave të gjykatës së Durrësit dhe vonesat që shoqërojnë çdo fillim séance minimalisht do t’i marrë gjyqtarëve 1,5 orë, duke diktuar një riplanifikim dhe shtyrje seancash në kurriz të qytetarit.

Trupi i përbërë nga Çera, Garxenaj dhe Mara do të mbulojë gjithashtu seksionin penal për të miturit.

Ndërkohë, Dhoma Civile e gjykatës do të përbëhet nga gjyqtarët Entela Shedula, Olti Skrame, Suela Dashi, Shkëlzen Liçaj, Kostandina Kuro, Ervin Sulaj, Marjola Beluli dhe Rudi Laze. Këta gjyqtarë tashmë do të zhvillojnë seancat e tyre në godinën e ish-Apelit në Shkozet, ndërsa duhet të “vrapojnë” për të kryer gjyqet penale që kanë në proces tashmë në gjykatën e Durrësit.

Në këtë rendje maratonomake, gjyqtarët dalin të humbur ndaj do të vendosin, secili për hesap të vet, të mirëmenaxhojnë zhvillimin e seancave duke bërë ndryshime datash dhe grupuar gjykimet penale dhe ato civile në ditë të veçanta. Në këto kushte, të humbur duket se do të jenë qytetarët, gjykimet e të cilëve do të zvarriten sërish.

Hapësira të reja, sfida të reja

Zhvendosja e Dhomës Civile në Shkozet synon të zbusë ngarkesën e lartë që ka përballuar Gjykata e Durrësit deri më tani. Hapësirat e reja duhet të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së gjykimeve dhe të lehtësojnë proceset që zhvillohen në një mjedis të mëparshëm të ngarkuar. Megjithatë, është e qartë se kjo lëvizje ka një kosto të rëndësishme për qytetarët në fazën fillestare, pasi shumë prej tyre tashmë janë përballur me shtyrje të seancave dhe vonesa në çështjet e tyre.

Shtimi i gjyqtarëve të rinj, një hap përpara për drejtësinë?

Një aspekt tjetër pozitiv i kësaj reforme është shtimi i gjyqtarëve të rinj nga qytete si Shkodra, Vlora dhe Peshkopia, të cilët po ndihmojnë në shpërndarjen e ngarkesës së punës dhe do të fuqizojnë trupën gjyqësore të Durrësit. Ky përforcim pritet të ndihmojë në përballimin më efikas të çështjeve dhe të sigurojë që drejtësia të zbatohet në kohë dhe me cilësi më të lartë.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ky ristrukturim do të përmbushë pritshmëritë e uljes së ngarkesës kohore dhe përmirësimit të procesit gjyqësor. Si gjithmonë, është qytetari i zakonshëm ai që duhet të presë dhe të shpresojë që ndryshimet do të sjellin përmirësime reale në drejtësinë që kërkon.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Dy të vdekur dhe pesë të plagosur në Rrugën e Kombit

Një bilanc tragjik me dy viktima dhe pesë të plagosur është regjistruar në Rrugën e Kombit, në segmentin...

24-vjeçari abuzon seksualisht me babain, ndalohet nga policia

Një ngjarje e rëndë e regjistruar në Kavajë rikthen në vëmendje jo vetëm dimensionin kriminal të rasteve të...

Prokuroria e Prishtinës kërkon burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, Murseli mohon

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, të...

SPAK jep pretencën për Evis Berberin

SPAK ka kërkuar 10 vite burg për ish kreun e ARRSH-së Evis Berberi për akuzat e shpërdorimit ë...