Rebel Wilson u martua me partneren e saj Ramona Agruma në një ceremoni romantike në Sardenjë fundjavën e kaluar. Aktorja 44-vjeçare e komedive dhe partnerja e saj 40-vjeçare shkëmbyen betimet e dashurisë dhe besnikërisë së përjetshme të shtunën, me njerëzit e tyre më të afërt në krah.
Pas martesës së tyre, dy gratë udhëtuan drejt Parisit për muajin e mjaltit. Ato u panë duke ecur në rrugët e kryeqytetit parizien të hënën në mbrëmje, duke buzëqeshur dhe të kapura për dore, sipas Page Six. Të dyja mbajtën një profil të ulët, duke preferuar të mbrojnë jetën e tyre personale dhe ta mbajnë marrëdhënien e tyre larg syrit të publikut.

Sipas Daily Mail, çifti fillimisht kishte planifikuar të martohej në vitin 2025 në një ceremoni buzë detit, por Wilson vendosi të ecë përpara për shkak të dashurisë së madhe që ka për Ramonën. Të dyja u takuan në vitin 2021 dhe u fejuan në shkurt 2023 dhe kanë një vajzë, Royce Lillian, e cila do të mbushë dy vjeç në nëntor.
Sipas burimeve, aktorja ishte e emocionuar për martesën dhe deklaroi se është “absolutisht e lumtur” që u martua me të dashurën e saj. Ceremonia ishte e thjeshtë, elegante dhe krejtësisht romantike. Një prej të ftuarve tregoi se aktorja mezi priste të hidhnin këtë hap të radhës në lidhjen e tyre.
Martesat brenda së njëjtës gjini konsiderohen një dëshmi e forcës së dashurisë dhe përkushtimit të çiftit, por ato përballen ende me një qendrim kritik nga shoqëria. Kjo sfidë ndaj normave tradicionale nënvizon nevojën për dialog dhe edukim, për një shoqëri më të hapur dhe më të pranueshme. Edhe pse këto lidhje simbolizojnë një hap të rëndësishëm drejt barazisë, rruga drejt pranimit të plotë mbetet e gjatë.
©️zërionline


