Vali Qyrfyçi
Në vend gjithnjë e më shumë po kthehet një problem në rritje mosmbulimi i dëmeve të automjeteve nga policat vjetore të sigurimit. Drejtuesit e mjeteve shpesh përballen me një situatë të vështirë ku, edhe pse kanë paguar për sigurimin, kur ndodh një aksident, dëmet nuk mbulohen siç duhet nga kompanitë e sigurimeve. Ky fenomen ka krijuar një pakënaqësi të gjerë te qytetarët, të cilët ndihen të mashtruar nga politikat e sigurimeve që shpesh nuk ofrojnë mbrojtje të plotë për të dyja palët e përfshira në një aksident.
“Është absurde sjellja e kompanive të sigurimit. Kërkova të bëj kasko për automjetin e punës dhe më thanë që mosha ime nuk e lejon këtë. Jam në moshë aktive për punë, 60 vjeç dhe shofer profesionist prej 40 vitesh. Rregullat e reja e lejnë zbuluar qytetarin, të pambrojtur dhe kjo rrit dozën e agresivitetit në rrugë”, shprehet Arben C., drejtues automjeti në profesion.
Nuk janë të pakta rastet kur çdo incident në rrugë kthehet në sherr mes drejtuesve të përfshirë në të. Jo rrallëherë, sherret kanë përfunduar edhe në krime kundër personit.
Një ndër faktorët kryesorë të kësaj problematike është mungesa e rregullimit dhe kontrollit të qeverisë mbi kompanitë e sigurimeve. Qeveria, përmes ligjeve dhe politikave të saj, detyron drejtuesit e mjeteve të paguajnë për siguracion, por në të njëjtën kohë, mungon një mekanizëm efikas që të sigurojë që këto kompani të përmbushin detyrimet e tyre. Në krahasim me vendet e tjera, ku kompanitë e sigurimeve ofrojnë mbulim të plotë të dëmeve dhe procedurat janë të qarta dhe të ndershme, në Shqipëri shpesh ndodhin vonesa ose refuzime të padrejta të kompensimit.
Si rezultat, përplasjet mes drejtuesve të automjeteve pas aksidenteve janë bërë të zakonshme, pasi mungesa e një mbulimi të drejtë i lë të dyja palët pa zgjidhje tjetër veçse të debatojnë mes tyre për të mbuluar dëmet. Kjo situatë mund të zgjidhet vetëm nëse qeveria merr masa më të forta për të rregulluar këtë sektor dhe për të mbrojtur interesat e drejtuesve të mjeteve. Pa një ndërhyrje të tillë, drejtuesit e mjeteve do të vazhdojnë të jenë viktima të një sistemi sigurimesh të korruptuar, i cili favorizon më shumë përfitimet e kompanive sesa drejtësinë dhe sigurinë e qytetarëve.
©️zërionline


