Një sfidë “e heshtur”: Reflektime përtej Tetorit Rozë

Date:

Share post:

Vali Qyrfyçi 

Tetori Rozë është koha kur flasim për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit, një sëmundje që prek jetët e shumë grave në mbarë botën. Megjithatë, ndërsa fokusohemi te kjo betejë, që nuk është thjesht një muaj, ekzistojnë edhe lloje të tjera kanceri, po aq sfiduese, që transformojnë jetët në mënyrë të ngjashme. Sëmundja nuk zgjedh dhe përballja me të kërkon forcë, kurajo, shpesh dhe vetmi.

Të përballesh me një diagnozë, sëmundje të rëndë do të thotë të jesh vetëm. Ta ndjesh të plotë peshën e vetmisë. Gjithçka rreth teje ngushtohet. Ndryshon. Qenia jote dhe e njerëzve të lidhur me ty vihet në diskutim. Raportet krisen, ose forcohen. Gjithçka ndryshon.

Duhet të reagosh, ose të shuhesh. Përreth teje has reagime nga më të çuditshmet, edhe nga të panjohur. Disa me dashamirësinë për të thënë që s’është asgjë, do të kalojë. Disa me lot në sy për diagnozën që nuk lë shumë vend për diskutim. Mjekë që të bëhen më të afërt se shumëkush që ke pranë. Miq që të inkurajojnë e të tjerë që bëjnë indiferentin në mizerjen rutinore të jetës së vet. Disa të tjerë çuditen e diskutojnë me zë, pas krahëve të tu, se si mund të vazhdosh jetën normalisht pas kësaj. Sëmundja barazon me tretje, me dergjie në krevat, rrethuar mes lotësh e dhembjesh deri në shuarje. 

Të tjerë fshehin ligësinë pas një buzëqeshjeje hipokrite. Nuk e dua.

Jeta kthehet në një sfidë ndryshe, të tejskajshme, të përditshme. Dhe ti duhet të zgjedhësh llojin e përballjes me të. Vetëm.

Në një çast disa ikin përgjithmonë e të tjerë të larguar kthehen si të mos kishin ikur kurrë. 

Të njohur fshihen nën maska, e të panjohur dalin në dritë butësisht. Janë aty për ty, dhe ti e di se do t’u jesh mirënjohëse dhe përtej. Kudo që të shkosh. Për një fjalë të thënë a të pathënë, për një përqafim, për një mesazh. E të gjitha bëhen bashkë dhe marrin Fuqinë e Lutjes. 

Në një sallë pritjeje ku të gjithë, të moshuar, të shohin me habi, pa kuptuar se kë po shoqëron. Emri të tingëllon çuditshëm dhe harrohesh pas shqiptimit të tij diku larg vendit të cilit i përket. 

Në një dhomë “personale” spitalore loja me ngjyrat e dritat vërshon brenda qenies tënde, teksa përgatitesh për ekzaminimin e radhës. Tingujt e lehtë të valseve të Shtrausit zbresin nga lart dhe flaka e një oxhaku elegant elektrik e bën të lehtë përgatitjen për atë që do të pasojë. 

Qetësi. Do të doje të ikje nga një vend si ky ku vetja, ngjyrat, tingujt dhe bardhësia e mureve shkrihen në një dhe të bëjnë të harrohesh. Shuhesh në morinë e ndjesive dhe ndjehesh në paqe me vetminë në atë dhomë që shijon ëmbël. 

Ditët, muajt, vitet kalojnë dhe ti e kapërcen pritshmërinë e mjekësisë dhe forcon besimin te Caktimi dhe Fuqia e të Madhit. 

Gëzimi i një mjekeje të huaj kur të jep lajmin se ka ndodhur mrekullia dhe je FREE nuk të ngacmon. Të lë indiferente, por jo gëzimi i saj. Quhet Monika L. Sa herë që apatia të kaplon, kujton fytyrën e saj, gëzimin e saj, dhe gjithçka ndryshon brenda teje. 

Sa mirë që ka Mjekë rrezatues! 

Sa mirë që ka Njerëz që janë aty për të lehtësuar rrugëtimin, pa kuptuar për rolin që marrin dhe vendin që zenë përgjithmonë brenda teje. 

Dhe sfida vazhdon. Është sfida e jetës që ngarkohet me rrethana e njerëz të fokusuar diku tjetër. Ti s’je fokus i tyre. The show must go on.

Dhe nis të hallakatesh me flokë që bien, po që për një imazh të kuruar duhen lyer e krehur herë pas here. Të ndalohet të përdorësh make-up për shkak të kimikateve dhe pasojave të tyre, por duhet ta bësh. Kurimi i imazhit. Bota na do të bukur se ti vlerësohesh për dukjen, jo për atë që je. 

Edhe nëse nuk shkon në plazh je e çuditshme. Si mundesh?! E nëse shkon e rri për orë të tëra për shkak pune, s’ka rëndësi pasoja. Duhet bërë puna. Pasoja është problemi yt. 

E nëse ikën, pa kthim, sërish s’ka gjë. Do të harrohesh menjëherë pas ikjes së radhës.

Ndaj sfido veten, sëmundjen dhe jeto aq sa mundesh!!! 

Tik-taku do të trokasë në kohën e duhur. 

E deri atëherë ka kohë dhe bota ka njerëz shpirtbukur plot e ti, mirënjohëse, në heshtje lutesh dhe falenderon për ta.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Tragjedi në Maliq/ Vritet efektivi i forcave “Shqiponja” në shkëmbim zjarri me një të kërkuar

Një operacion policor për kapjen e një personi të shpallur në kërkim ka përfunduar tragjikisht mëngjesin e kësaj...

Shëngjin/Dallgët e forta marrin 5 të rinj, 2 prej tyre humbin jetën

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në zonën e "Ranës së Hedhun", në Shëngjin. Bëhet me...

Përmet, 2 të plagosur me lëndë plasëse

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Grabovë të Përmetit, ku dy persona kanë ndeshur në lëndë...

Tritoli në makinën e Mirash Gjikolës në Sarandë, arrestohet 21-vjeçari

Një 21-vjeçar në Sarandë është arrestuar nga Policia si bashkëpunëtor i dy të shpallurve në kërkim, Griseld Taullajt dhe...